Dua Lipa padit Samsung-un për shfrytëzim të imazhit

KALIFORNI, 11 maj /ATSH/ – Superylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka ngritur një padi kundër Samsung duke kërkuar të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim, duke pretenduar se kompania e elektronikës e përdori në mënyrë të papërshtatshme foton e saj për të shitur televizorë pa kompensim financiar ose leje, shkruan repubblica.it.
Sipas padisë, të paraqitur në një Gjykatë të Qarkut të SHBA-së në Kaliforni, Samsung filloi të përdorte imazhin e artistes me origjinë nga Kosova, në paketimet prej kartoni të një pjese të konsiderueshme të televizorëve të shitur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2025.
Këngëtarja pretendon se sapo mësoi për çështjen i kërkoi kompanisë të ndalonte përdorimin e saj, por Samsung ishte “indiferent”. /os/