Mrekullia e heshtur e trupit: çfarë ndodh me mëlçinë ndërsa flemë?

ROMË, 11 maj /ATSH/ Mbrëmë mëlçia jote ka punuar e vetme për 8 orë rresht. Askush nuk ia tha çfarë të bënte. Truri yt ishte në gjumë. Stomaku yt kishte orë që ishte bosh. E megjithatë ajo ishte aty, duke pompuar sheqer në gjak me një saktësi që asnjë algoritëm njerëzor nuk ka arritur ende ta kopjojë, shkruan faqja quelchenonsapevi.it.
Ja çfarë ndodh çdo natë brenda teje, ndërsa ti nuk e kupton fare.
Gjatë agjërimit të natës, mëlçia bëhet furnizuesi yt i vetëm me glukozë. Nuk ka ushqim, nuk ka tretje, nuk ka udhëzime të drejtpërdrejta nga sistemi nervor qendror — dhe megjithatë niveli i sheqerit në gjak mbetet i qëndrueshëm.
Kjo nuk është rastësi. Është një program biologjik.
Mekanizmi quhet glukoneogjenezë hepatike: mëlçia sintetizon glukozë nga e para, duke përdorur laktatin, aminoacidet dhe glicerolin, dhe e lëshon atë në gjak me një ritëm konstant.
Rreth 4-5 gramë çdo orë. Për gjithë natën. Pa ndërprerje.
Në 10-12 orë agjërim nate, mëlçia prodhon në mënyrë autonome mes 80 dhe 100 gramë glukozë.
Kjo sasi mbulon 85-95% të glukozës që qarkullon në gjakun tënd ndërsa fle. Pjesa tjetër? Thërrime.
Dhe këtu vjen pjesa që të ndryshon mënyrën si e sheh këtë organ.
Mëlçia nuk pret urdhra nga truri për të ditur kur duhet të prodhojë glukozë. Ajo e di tashmë. E di sepse ka një orë molekulare të brendshme, të koduar nga një gjen i quajtur BMAL1 — Brain and Muscle ARNT-Like 1 — që sinkronizon glukoneogjenezën me ritmin cirkadian të trupit.
Natën, kur BMAL1 është në nivel minimal, enzimat glukoneogjenike si PEPCK dhe G6Pase aktivizohen ndërsq gjatë ditës, frenohen.
Nëse mëlçia do të denervohej plotësisht — pra nëse do të priteshin të gjitha lidhjet nervore me trurin — prodhimi i glukozës gjatë natës do të binte vetëm me 15-20%.
Organi do të vazhdonte të punonte pothuajse njësoj. Sepse programi ndodhet brenda saj, nuk vjen nga jashtë./ /os/