E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Magjia e Kanës: fustanet që shkruan historinë e tapetit të kuq

KANË, 11 maj /ATSH/ – Bulevardi ”La Croisette” është gati të presë edhe këtë vit Festivalin e Kanës, një ngjarje e madhe e kinemasë, por edhe e modës. Madje, gjithnjë e më shumë e modës, shkruan corrieredellasera.it.

Parada e fustaneve të mbrëmjes që gjallëron çdo vit Festivalin e Filmit njihet si më glamour-i i sezonit, të paktën në Europë.

Red carpet-i i festivalit ka një sërë rregullash të pashkruara, por shumë të rrepta: jo pantallona të shkurtra, vetëm taka të larta. Fundet e shkurtra nuk preferohen dhe, së fundmi, ndalohen edhe transparencat e tepërta apo bishtat voluminozë të fustaneve.

Megjithatë, disa prej pamjeve më ikonike në historinë e Kanës kanë thyer këto kode. Si Madonna, e cila në vitin 1991 u shfaq me reçipetat konike të krijuara nga Jean Paul Gaultier, apo Kristen Stewart, që në vitin 2018 hoqi takat Christian Louboutin dhe eci zbathur në tapetin e kuq.

Të tjera pamje, si fustani blu akull i Catherine Walker i veshur nga Princesha Diana në vitin 1987, apo fustani i mëndafshtë Armani i Hunter Schafer në vitin 2024, mishërojnë në mënyrë perfekte idenë e elegancës absolute.

Ja disa nga fustanet më të bukur dhe më të paharrueshëm në historinë e Festivalit të Kanës.

Jane Birkin, 1974

Jane Birkin në vitin 1974 zgjodhi një fustan me pala të mbuluar me temina shkëlqyese. Një përzierje perfekte mes stilit të viteve ’70 dhe atij të viteve ’20, e kompletuar me geta transparente që e bënë pamjen e saj të pagabueshme.

Sharon Stone me Valentino, 1995

Për premierën e dokumentarit të Isaac Mizrahi, “Unzipped”, Sharon Stone në vitin 1995 veshi një fund argjendi Valentino me kopsa. I hapur pjesërisht, ai linte të dukeshin pantallonat e shkurtra të qëndisura me dorë që mbante poshtë.

Kate Moss me Jean Dessès, 1998

Mbretëresha e modës vintage, Kate Moss, shkëlqeu me një fustan të zi me pupla të viteve ’50, krijuar nga Jean Dessès, të cilin e veshi në Kanë në vitin 1998. Kjo ndodhi shumë kohë përpara se përdorimi i veshjeve arkivore në tapetin e kuq të bëhej trend. Pupla dhe elegancë në formën më të pastër.

Madonna me Jean Paul Gaultier, 1991

Kur Madonna mbërriti në Kanë në vitin 1991, ajo tërhoqi menjëherë vëmendjen me look-un e saj me reçipetat konike të Jean Paul Gaultier, në kontrast të plotë me smokingët klasikë të zinj. Sipër mbante një xhaketë voluminoze rozë prej taftaje. Një pamje ikonike.

Princesha Diana me Catherine Walker, 1987

Fustani i drapëruar ngjyrë blu akull i veshur nga Lady Diana në vitin 1987 ishte krijuar nga Catherine Walker. Ai ishte frymëzuar nga fustani i veshur nga Grace Kelly në filmin “To Catch a Thief”.

Bella Hadid me Schiaparelli, 2021

Bella Hadid konsiderohet mbretëresha moderne e Kanës. Në vitin 2021 ajo u shfaq me një fustan Schiaparelli, të zbukuruar me një aksesor të artë në pjesën e bustit, të kombinuar me një model flokësh asimetrik. Një pamje përrallore.

Natalie Portman me Dior, 2023

Në vitin 2023, Natalie Portman i bëri homazh fustanit legjendar “Junon”, i prezantuar fillimisht në koleksionin Vjeshtë/Dimër 1949-1950 të Christian Dior. Versioni i saj kishte një bust pa rripa në ngjyrë fildishi dhe një fund të krijuar me shtresa që ngjanin me petale lulesh.

Tilda Swinton me Alaïa, 2022

Është e vështirë t’i japësh personalitet një fustani të tapetit të kuq, por Tilda Swinton arrin gjithmonë të paraqitet me një stil që pasqyron plotësisht karakterin e saj. E pakrahasueshme me Alaïa në vitin 2022.

Gwyneth Paltrow me Chanel, 2008

Në vitin 2008, Gwyneth Paltrow zgjodhi një fustan Chanel. Sateni blu i errët, detajet e zeza dhe dekolteja e thellë e zbukuruar me një fjongo të zezë krijonin një kombinim perfekt mes glamour-it dhe elegancës moderne.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›