E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala: Mirë apo keq, përgjegjësia e Hanit

Kapiteni i kombëtares, Altin Lala, komenton listën për miqësoren me Lihtenshtejnin. "M'u duk e çuditshme"

Lista e lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen miqësore të kombëtares me Lihtenshteinin, i ka bërë përshtypje edhe kapitenit të kuqezinjve, Altin Lala. I kontaktuar dje nëpërmjet linjës telefonike, mesfushori "veteran" deklaroi se lënia jashtë e Erion Bogdanit është e çuditshme. Ndër të tjera, 33-vjeçari që aktivizohet prej vitesh tek Hanoveri, flet edhe për formën e tij, incidentin në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë, gjithashtu ndeshjet e radhës së kombëtares, miqësoren me Lihtenshteinin dhe eliminatoren ndaj Suedisë. Për më tej, ja intervista e tij dhënë për "Sportin shqiptar":

- Altin, si do ta komentonit lënien jashtë kombëtares të Bogdanit, Berishës dhe Bylykbashit për miqësoren me Lihtenshteinin, më 20 gusht?

- Të enjten jam vënë në dijeni për këtë fakt. Të them të drejtën, më duket e çuditshme lënie jashtë e tyre, sidomos e Erion Bogdanit, sulmuesit tonë kryesor. Këtë gjë e di vetëm trajneri dhe për mendimin tim, Ari Han do ta mbajë gjithë përgjegjësinë. Eshtë zgjedhje tij, ndërkohë që nëse do të më pyesnit mua, këta lojtarë janë të domosdoshëm për ekipin. Megjithatë, unë jam i bindur që për ndeshjen eliminatore me Suedinë do të thirren. Nuk e kemi atë luks, saqë të lëmë jashtë kombëtares Bogdanin që aktivizohet në Serinë A.

- Në syrin tuaj, sa i njeh lojtarët shqiptarë trajneri Ari Han?

- Natyrisht që Ari Han nuk na njeh akoma, pasi vetë koha që ka pasur në dispozicion nuk ia ka bërë të mundur këtë gjë. Mendoj se periudha e përjashtimit nga aktivitet ndërkombëtare, kur ne nuk zhvilluam dy miqësore, ka ndikuar shumë. Tani duhet të bëjmë maksimumin tonë që, edhe Hani ta ketë më të lehtë. Që në ndeshjen me Lihtenshteinin, pavarësisht se është një ekip modest, duhet të japim 100% në lojë.

- Pas Lihtenshteinit vjen Suedia. Mendoni një edicion të nisur me fitore, aq më tepër në "shtëpi"?

- Faktikisht, ndeshjet i para i kemi nxjerrë gjithnjë mirë, si të thuash me këmbë të mbarë. Këtë herë edhe shorti duket se na ka rënë mirë, sepse pas Suedisë do të presim Maltën. Kështu që një fitore me Suedinë para tifozëve do të na e rritë entuziasmin. Kemi një shans për të bërë diçka. Tani në futboll gjithçka pritet dhe një fitore jona me Suedinë nuk besoj se do të habiste kënd.

- Nesër (sot) fillon Bundesliga. Ç'mund të na thoni për formën tuaj para ndeshjes me Shalken?

- Jam stërvitur mirë dhe ndihem në formë. Jam gati për të nisur një sezon të mrekullueshëm. Shpresoj që të marrim të paktën një pikë ndaj Shalkes.

- Jeni pezulluar dy ndeshje nga Kupa e Gjermanisë. Si ka qenë çështja?

- Në ndeshjen e Kupës me Halleshenin, ku fituam 5-0, pata një dyluftim në mesfushë dhe bëra një lëvizje të pavullnetshme me dorën e majtë, e cila shkoi te kundërshtari. Ky i fundit e teproi, duke simuluar menjëherë, ndërkohë që gjyqtari nuk dha ndonjë faull. Mirëpo, pas ndeshjes televizionet e bënë të madhe këtë gjest, duke m'u kundërvënë. Pati komente sipas qejfit të gjithsecilit dhe nëpërmjet pamjeve filmike u pezullova. Gjithsesi, kjo nuk përbën ndonjë problem, sepse e rëndësishme është që në kampionat do të luaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›