Dualiteti i identifikimit të shqiptarëve*
Behar Gjoka/ Studiues
-Në këto hapësira jeton një popullsi myslimane, e vënë në një mëdyshje të pazakontë. Prej qenies së tyre si të tillë, ata gjenden në pengun e Turqisë, të kundruar si mbetje të Perandorisë, pra si një verifikim fetar, që bie ndesh me aspiratën për në Europë Në mendjen e shqiptarëve, pamëdyshje që Europa, është një koncept i gjerë, që bart shpresën, qytetërimin, vlerat demokratike, zhvillimin dhe ndërkaq edhe krizën e pranishme ekonomike, që e ka vënë në zgrip vetë ekzistencën e saj. Pra, tanimë Europa nuk është një ëndërr e parë në zhgjëndërr. Përkundrazi, është një realitet që falë pasaportave biometrike dhe lejekalimit pa viza në radhët e ambasadave, mundet ta prekë secilido prej nesh. Po kaq, Europa është më së shumti edhe një realitet i mirëfilltë politik dhe gjeostrategjik, që hapësirën e gadishullit Ballkanik (dikur Ilirik), e ka përcaktuar si Europa Juglindore; pra duket se më tepër kemi të bëjmë me një emërtesë politike, për të nxjerrë kështu në evidencë dallimet thelbësore, në mes hapësirës që shënon ky term. Europa e Bashkuar, politike, ekonomike dhe kulturore, edhe për ca kohë do të jetë larg, kryesisht për shkak të problematikave të përhershme të zgjedhjeve, të mënyrës së përfaqësimit të shtetit ligjor, të pranisë së ligjeve demokratike, por të shoqëruar me një moszbatueshmëri të pashembullt, si një mënyrë e politikëbërjes së faktorëve kryesorë të këtyre viteve të demokracisë së brishtë shqiptare. Parë nga ky pozicion politik, e sidomos i performancës demokratike, vetë ne banorët e hapësirës së Europës Juglindore, kemi pjesën e madhe të përgjegjësisë, që lidhet vetëm me standardet, me rregullsinë e admirueshme, me praninë e ekuilibrave të paqes dhe stabilitetit. Nëse historikisht dhe gjeografikisht, jemi afër, sepse edhe kjo hapësirë është Europë, madje këtu ka nisur përlindja e këtij nocioni, në rrafshet politike dhe ekonomike, ka diferenca dhe, shpesh herë, edhe dallime thelbësore ndërmjet tyre. Edhe në këtë emërtim të qartë gjeopolitik, ka një mozaik të larmishëm të vendeve si Greqia, që pavarësisht krizës së thellë ekonomike, është një nga pikat që përfaqëson bashkimin e këtij koncepti; ka vende si Sllovenia dhe Kroacia, që tashmë i janë bashkuar trenit të Europës, si dhe ndërkohë po bëhen gati të presin biletat për aty, Mali i Zi dhe Serbia. Në fund fare, Bosnja, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, që në njëfarë mënyre bartin edhe tragjiken e gadishullit. Këtu ka edhe një fakt tjetër, po kaq domethënës, siç është prania e një numri myslimanësh, që kërkon vëmendje dhe shqyrtime të posaçme. Pikërisht në këto hapësira, të shteteve që përmendëm, jeton një popullsi myslimane, e cila gjendet, ose me tepër e kanë vënë në një mëdyshje të pazakontë. Nga njëra anë, prej qenies së tyre si të tillë, që ka ardhur prej shtjellave të historisë, rajoni dhe banorët e saj, gjenden në pengun e Turqisë, për të vijuar kundrimin e tyre, si mbetje të perandorisë, pra si një verifikim fetar më së shumti, që bie ndesh me aspiratën për në Europë. Në anën tjetër, prej kësaj pranie, sikur hezitohet nga Europa, që shpesh herë duket si një klub të krishterësh (nuk besoj se mund të ketë një referendum për të hyrë në këtë klub), çka do të vinte në dyshim jo pak vlera. Në këtë zgrip të Europës, si afër dhe larg, madje të një vështrimi të dyzuar gjendet në mënyrë të veçantë hapësira e trojeve shqiptare, e cila prej 100 vitesh, si një gjurmë e padrejtësisë historike të kryer në vitin 1913 në Konferencën e Londrës, sërish është e copëtuar në disa shtete, ku kanë mbetur jashtë, më tepër se gjysma e trojeve; në Serbi, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni; dhe me dy shtete shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë. Me ndërhyrjen e Aleancës së Veriut, të ShBA dhe Europës, në vitin 1999 në Kosovë, në fakt nisi rizgjidhja e çështjes shqiptare, me çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë kombi shqiptar vijon të jetë nga të paktët kombe të Europës së qytetëruar, që vijon të mbetet i përndarë, si popull dhe etni, njëherit edhe si populli me aspirata të qarta të lidhjeve shpirtërore me botën e qytetërimit, e në mënyrë të veçantë me aleancën që shpëtoi nga genocidi serbomadh shqiptarët e Kosovës, duke forcuar kështu urat e komunikimit, si dhe duke rindezur dëshirën dhe aspiratën e shqiptare, si pjesë e trungut të qytetërimit europian.
*Titulli është redaksional