E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shans për kamaradët shqiptarë- që sduhet humbur

diana ndrenikaNga Diana Ndrenika

Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala erdhi në Tiranë për të mbështetur të majtën shqiptare,  kamaradët shqiptarë, siç u shpreh ai, në rrugëtimin e tyre drejt bashkimit, drejt misionit të tyre të fitores e riardhjes  në pushtet, në kushtet e këtij momenti historik për ta. Kjo është për tu përshëndetur. Por ndërkohë është për tu keqardhur që ky moment tejet i rëndësishëm, nuk u vlerësua siç do ta meritonte. Nëse kamaradët Rama dhe Meta do dinin ti jepnin vlerë këtij momenti dhe ta kapitalizonin atë në avantazhin e tyre do të duhej që qoftë edhe vetëm për hir të perceptimit vizual të bënin sot një konferencë të përbashkët për shtyp nga selia e Partisë mëmë të spektrit të majtë, për të na krijuar përshtypjen që ky është vërtet një moment i shumëpritur historik për të majtën shqiptare. Që ky është një rikthim i vërtetë jo në 2011, 2009, apo dhe në 2007-ën, por është një kthim i vërtetë për në 2005-ën, aty ku zë fill e çara e tyre e madhe, dhe që ky koalicion i 2013-ës nuk është mashtrimi i radhës, nuk është pazari parazgjedhor, por është ajo çka i do zemra çdo socialisti të thjeshtë në Shqipëri- një ribashkim i madh i së majtës!- jo mbi bazë arnash, mballosjesh, jo ngjitje e çfarëdoshme e momentit, po një RIBASHKIM, një shkrirje e vërtetë e harmonishme, e sinqertë. Që kjo të vijë në popull, duhet të jetë xhenuine dhe e ndjerë. Duhet të ketë në bazë garancinë se nuk do të jetë marrëveshja e radhës, që do të prishet me qejfmbetjen e parë të liderëve mbas krijimit të koalicionit.

Jo, kjo nuk çon më në fitore!!! Socialistët e thjeshtë ishin aty në 2007-ën, dhe në 2009-ën, iu kërkua ta shpërfillnin atë koalicion dhe të punonin kundër ish- aleatëve të tyre, paçka se tashmë në bashkëqeverisje në pushtetin lokal. Socialistët e thjeshtë duan të mos u cenohet më dinjiteti i tyre. Duan të dinë kë kanë në krah, për sa kohë e kanë e mbi çfarë baze.

Aleancat fluide e pragmatiste mund të bëhen më këdo në frontin opozitar, mbase dhe përtej tij në funksion të fitores, por jo më mes socialistësh. Fitorja dhe ndryshimi në qeverisjen e vendit do të vijnë vetëm nëse bashkimi i të majtës shqiptare do të jetë i pastër e i vërtetë.

Një koalicion thjesht pragmatist në 2009-ën apo dhe në 2011-ën madje, do të kishte funksionuar. Por sot është vonë më për pragmatizëm të thjeshtë politik. Ashtu si në një ndërhyrje kirurgjikale të vonuar, që sa më vonë realizohet, aq më e thellë bëhet ndërhyrja, ashtu dhe Edi Ramës e Ilir Metës për tu ribashkuar te Partia Mëmë do tu duhet këtë radhë të bëjnë një hap mbrapa, të reflektojnë e të analizojnë, të bëjnë lëshime reciproke për të bashkuar forcat, mjetet, fuqitë, forumet, për tu bërë një front i vetëm, për të riardhur fuqishëm të ribashkuar në pushtet me një program të dobishëm realist, konkret, me një vizion të qartë për qeverisjen e së ardhmes, që ti vijë pas shpirtit të çdo shqiptari të thjeshtë.

Po ti referohemi 2005-ës, çka e solli në pushtet të djathtën pas largimit famëkeq mbas rënies së shtetit në 1997-ën, ishte vetëm imazhi i qeverisjes Me duar të Pastra, imazhi i bashkimit, krijimi i KOP-it si një organizëm i ri, me njerëz të rinj, me ide të reja larg pazareve e korrupsionit. Qofshin këto dhe iluzive, kjo strategji fillimisht funksionoi, riardhja e të ikurve Arben Imami, Genc Ruli, Preç Zogaj etj., solli në popull besimin se e djathta po bënte një përpjekje të sinqertë për të ardhur në pushtet pas një katarsisi të sinqertë të saj.

Qytetari i thjeshtë nuk ka asnjë peshore farmacie në duar për të provuar cila nga alternativat qeverisëse është më e mira, sidomos në kushtet e një përngjasimi të pashmangshëm nëpër programe, por nuk do të rrinte dot indiferent ndaj një ribashkimi të madh, të sinqertë post-katarsis të së majtës shqiptare me një vizion të kthjellët qeverisës.

Nuk mundet të besojmë e të votojmë një të majtë që kalon lumin duke thënë se: ne shohim vetëm përpara dhe e kaluara u takon historianëve dhe arkeologëve, jo! Ne si qytetarë votojmë duke vlerësuar për të tashmen dhe për të ardhmen, por edhe për të shkuarën, ne duam të shohim një katarsis të ndjerë për gabimet në të shkuarën, për grindjet e përçarjet, përndryshe pse do u zinim bese?

21 Janarin e dhimbshëm e bashkëkrijuan të tre partitë kryesore politike të vendit dhe janë bashkëfajtorë të tre, Berisha, Rama e Meta. Se si e në çmasë këtë duhet ta gjykojë me saktësi drejtësia. Por moralisht janë të tre përgjegjës dhe qytetarëve u takon të shohin pendesë e kërkesë-falje të ndjerë nga të gjitha palët, por së pari opozita të pranojë pjesën që i takon të fajit.

Mbase është vërtetë momenti për liderët shqiptarë të së majtës të kuptojnë nevojën për ribashkim të sinqertë, mbi një katarsis të vërtetë për të kaluarën.

Është koha për një politikë të re të pastër, xhenuine, të së majtës shqiptare, përndryshe mirë i kemi këta që kemi. Përse do ti ndërronim???

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›