Pse po lihet në heshtje skandali i Plazhit të Gjeneralit
Në janarin e vitit 2009 disa media kërkuan të më intervistonin rreth shkarkimit tim nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe në veçanti rreth heshtjes së Plazhit të Gjeneralit. Për të parën arsyetova se ishte i vërtetë motivi i largimit tim, pasi kisha bllokuar procesin e kthimit të pronave. Ndërsa për sa i përket Plazhit të Gjeneralit, ishte një dosje që ndoqi procedurën normale administrative, e cila fillon nga zyra rajonale e Tiranës deri tek zyra qendrore e AKKP. Refuzova të jem pjesë e lojës së shtypit, i nisur nga fakti se unë vija nga drejtësia dhe kjo çështje tashmë i përkiste drejtësisë, pra duhej të thoshte ajo fjalën e saj.
Pavarësisht kësaj, nuk hezitova të shkoja personalisht në disa redaksi të shtypit të shkruar jo për intervista, po për tu kërkuar të jenë sa më objektivë në shkrimet e tyre si dhe i dorëzova një kopje të Akt-Kontrollit të Departamentit të Antikorrupsionit pranë Këshillit të Ministrave. Në këtë raport përcaktoheshin qartë përgjegjësitë administrative të secilës prej hallkave administrative që ishin marrë në këtë dosje. Pavarësisht këtij komunikimi, një pjesë e shtypit në dukje i pavarur, vazhdoi lojën e tij. Të bënte përshtypje se asnjë media, që njihej hapur si proqeveritare nuk e trajtonte këtë teme. Kjo të bënte të kuptoje se këto artikuj të përditshëm në ballinën e gazetave sponsorizoheshin nga një dorë, që i ishin prekur interesat.
Motivimi në Vendimin e Këshillit te Ministrave për shkarkimin tim nga detyra bazohej nga një akt kontrolli i ushtruar nga Ministria e Drejtësisë dhe i kërkuar personalisht prej meje. Ky akt kontrolli iu paraqit Kryeministrit, i cili në kundërshtim me përmbajtjen e tij, motivoi shkarkimin tim pasi ishte e vërtetë se unë kisha bllokuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, por jo në tërësi procesin, por ato prona, të cilat u kthyen pas largimit tim dhe për të cilat nuk do të jetë e largët dita që do të dalin në dritë.
Tani që drejtësia pas pothuajse pesë vitesh dha verdiktin e saj, them pas pese vitesh se mu kujtua çështja civile e të ndjerit Konomi, e cila përfundoi në të gjitha shkallet e gjyqësorit brenda 2.5 vitesh, ku për nga sipërfaqja dhe problematika ishte pesëdhjetë herë më e madhe se çështja e Plazhit të Gjeneralit.
Nuk do të më harrohen ato shkrime, ku citonin aplikuesen për kthim dhe kompensim të pronës se ajo nuk kishte aplikuar për pronë, por ia kishin falsifikuar kërkesat AKKP. Dukej qartë se ketë aplikuese e kishin marrë dhe detyruar të bënte deklarime të tilla, pasi siç doli dhe nga hetimi dhe gjykimi, aplikuesja kishte bërë një kontratë parablerjeje ku kishte përfituar një shumë prej katër milion eurosh. Media do të bënte mirë ta investigonte këtë fakt dhe do të kuptonte se po përdorej, mund të investigonte dhe se ku punonte i biri i aplikueses dhe pse u largua nga puna!?
Media asnjëherë nuk investigoi faktin se Plazhi i Gjeneralit, mesa di unë edhe sot është prone shtetërore, falë prishjes së Vendimit të Zyrës Rajonale dhe bllokimit të pronës nga Tunxh Vatnikaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP.
Po të investigonin këtë fakt, atëherë do të kuptonin dhe shkakun e vërtetë të largimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP.
Media nuk investigoi asnjëherë, dhe pse shkroi shumë edhe faktin pse akti i ekspertimit grafik i kërkesave të aplikueses u bë me fotokopje, pasi ishin zhdukur origjinalet e kërkesave dhe dilte i pabazë pretendimi se aplikuesja nuk kishte bërë kërkesa në Zyrën Rajonale Tiranë.
Media nuk investigoi asnjëherë shkakun pse u lanë jashtë përgjegjësisë penale të gjithë vartësit e Drejtorit të Përgjithshëm në Zyrat Qendrore të Agjencisë se Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por u mor në përgjegjësi penale vetëm Drejtori i Përgjithshëm dhe specialistët e Zyrës Rajonale Tiranë.
Besoj se gjithkujt i kujtohet 21 Janari dhe alibia e zinxhirit komandues, por me të vetmin ndryshim, në rastin e parë mbroheshin interesat e shtetit dhe titullari ndëshkohej me shkarkim dhe ndiqej penalisht, ndërsa në rastin e dytë pasojat dhe veprimet pas pasojave i dinë të gjithë shqiptarët.
Duhet të ndaloj pak te ky rast krahasimi se të gjithë e dinë se media që tregoi profesionalizëm dhe investigim të thellë nuk kaloi shumë kohë dhe u kuotua ne tregun mediatik në vlerën e miliona eurove, çka shtyu përfshi dhe shkaqe të tjera shitjen e kësaj media.
Në rast se mediat do të ndiqnin këtë forme investigimi, atëherë do të përfitonin më tepër se duke botuar shkrime të porositura për efekt zhurmimi dhe për tiu larguar shkaqeve dhe arsyeve të vërteta.
Në dokumentet e administruara në dosjen e Plazhit të Gjeneralit gjendet dhe një ankim i Zyrës së Avokatit të Shtetit dhe për çudi disa ditë më vonë pas paraqitjes së ankimimit vjen një kërkesë tjetër e Avokatit të Shtetit me formulimin e mëposhtëm: Heqim dore nga ankimimi sepse pas verifikimit doli se dosja ishte ligjërisht e rregullt.
Pothuajse në të gjitha praktikat, Avokati i Shtetit kur ka paraqitur ankim nuk ka hequr dorë asnjëherë nga ankimi administrativ, por jo vetëm kaq, por ka ndjekur dhe ankimimin gjyqësor.
Cili është shkaku i tërheqjes nga ky ankimim, pse nuk u analizua dhe as nuk u investigua ky fakt!?
Të habit dhe fakti se nga akti i kontrollit të Departamentit Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave u verifikuan të gjitha veprimet e kryera mbi këtë dosje, u morën dhe masat administrative përkatëse, por të gjitha sulmet u drejtuan mbi Drejtorin e Përgjithshëm, i cili nga pikëpamja ligjore nuk kishte asnjë përgjegjësi ligjore.
U mundova që nëpërmjet këtij shkrimi ti shmangem emrave, pasi në rast se media është e interesuar, mund ti gjejë fare lehtë në të gjitha materialet që ndodhen në fashikullin gjyqësor dhe po të bëjnë krahasimin e atyre çfarë kanë shkruar dhe materialeve gjyqësorë, të cilat tashmë nuk përbejnë sekret hetimi, do të kuptonin shumë më tepër se ato çfarë ju kanë servirur në atë kohë, pavarësisht se përbenin sekret hetimor.
*Ish- drejtor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
