E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi im me Margaret Thatcher, “Zonja e Hekurt” që la gjurmë në histori

Nga Mirela Bogdani

-Pjesëmarrja ime në këtë takim u bë e mundur nga fakti që, veç anëtarësimit në Partinë Konservatore Britanike gjatë viteve të jetesës sime në Britaninë e Madhe, unë isha bërë pjesë e grupit "Conservative Way Forward" (CWF), grupi Thatcherian i djathtë i Partisë Konservatore, që ish krijuar pikërisht për mbajtjen gjallë, ruajtjen dhe avancimin e ideve, parimeve dhe ideologjisë Thatcheriane në gjirin e partisë konservatore, presidente e të cilit ishte Baroneshë Thatcher.

Në aktivitetin që u zhvillua me rastin e këtij përvjetori ish organizuar një pritje dhe darkë ku kishte një numër të madh të ftuarish, po unë pata fatin të jem e ftuar në pritjen private prej 30 vetash me përfaqësues nga parlamenti dhe dhoma e lordëve. Ndoshta arsyeja për këtë, siç u shpreh dhe kryetari i CWF, Chris Chope (anëtar i Parlamentit Britanik) ishte se "ne nuk kemi shumë anëtarë të partisë sonë apo të grupit CWF nga Europa Lindore, aq më tepër nga një vend si Shqipëria, që të jenë kaq Thacerianë në bindje dhe parime si ju".

Gjatë kësaj pritjeje unë pata rastin të takohesha e të bashkëbisedoja me Lady Thatcher. Pasi i thashë sa e lumtur dhe e nderuar ndihesha të takohesha me të shtova: "Znj. Thatcher unë vij nga Shqipëria dhe siç mund ta dini vendi ynë vuajti për rreth 50 vjet një nga diktaturat më të egra dhe ishte vendi më i izoluar i Europës. Gjithsesi, në izolimin dhe ideologjinë komuniste, emrat dhe fama e vetëm dy prej politikanëve britanikë mundën të depërtojnë dhe të bëhen të njohur tek ne: ai i Churchillit dhe juaji, Znj.Thatcher. Kontributi juaj në përmbysjen e komunizmit në Europën Lindore është i jashtëzakonshëm dhe prandaj ne ju jemi shumë mirënjohës".

Ajo u përgjigj "të faleminderit shumë e dashur, më vjen shumë mirë që i dëgjoj këto fjalë". Ajo që më bëri përshtypje ishte që fjalët dhe vështrimi i saj ishin aq të ngrohtë, të butë dhe të dashur, shumë larg përfytyrimit që kisha krijuar për të si e famshmja “Zonja e Hekurt”.  Isha shumë e emocionuar para dhe gjatë takimit dhe kjo sepse të parit nga afër dhe takimi me të ka qenë një ëndërr që kur fillova involvimin në politikë. Margaret Thacher ka qenë dhe vazhdon të ngelet idhulli dhe heroina ime (apo siç anglo-saksonët thonë "my role-model").

Ajo ka qenë inspirimi im në një karrierë në politikë, jo vetëm për faktin që përbën shembullin e një gruaje tepër të suksesshme në politikë, po mbi të gjitha sepse kam vlerësuar cilësitë e saj si integritetin, kurajon, eficiencën, përkushtimin, si dhe ndaj të njëjtat bindje, ide dhe parime, të njohura me emrin "ideologjia Thatcheriane". Miqtë, të afërmit dhe shokët e mi të gjithë e dinë admirimin tim për këtë grua të rrallë, që la gjurmë jo vetëm në historinë dhe politikën britanike, por edhe atë botërore, për kryeministren me qeverisjen më të gjatë në Britani gjatë gjithë 150 viteve të fundit. Prandaj, të takohesha me Margaret Thatcher, t’a shikoja afër, të shtrëngoja duart dhe të bisedoja me të ka qenë një nga ëndrrat e jetës sime dhe jam shumë e lumtur që arrita t'a realizoj këtë ëndërr.  

Një histori të shkurtër e Margaret Thatcher

Margaret Roberts lindi në tetor 1925 në Grantham, një qytezë e vogël në Angli, (vendlindja gjithashtu edhe e fizikantit të njohur Isak Njuton). Prindërit e saj kishin një dyqan të vogël ushqimor poshtë shtëpisë ku banonin. Babai i Magit ishte i përfshirë në pushtetin lokal dhe për ca kohë shërbeu si kryetar i Bashkisë së Grantham. Magi, siç e thërrisnin, kreu shkollën deri të mesme në Grantham dhe vazhdoi më tej studimet universitare në Universitetin e Oksfordit (Somerville College), ku studioi kimi dhe ku u diplomua shkëlqyeshëm me një MSc (Master) në vitin 1947. Karrierën profesionale e filloi si kimiste induastriale, po më vonë ndërroi kursin e karrierës duke u kualifikuar si juriste (gjykatëse), në profilin e ligjshmërisë së taksave. Margaret u martua me Denis Thatcher, një biznesmen i pasur, i cili për 50 vjet (derisa vdiq në 2003-n) ishte shoku dhe mbështetësi në karrierën e saj politike. Margaret ishte gjithashtu nënë e dy binjakëve 58 vjeçare, Mark (biznesmen) dhe Carol (gazetare).

Margaret u përfshi në politikë në moshë shumë të re, që kur ishte 10 vjeç kur gjatë fushatave zgjedhore ndihmonte të atin të mbushte zarfet me fletushka kur ai kandidonte për këshilltar lokal. Në universitet pasioni i saj për politikën u rrit dhe shumë shpejt ajo u aktivizua me rininë konservatore duke u zgjedhur presidente e studentëve konservatorë të Universitetit të Oxfordit. Ishte vetëm 25 vjeç kur Margaret kandidoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare për Partinë Konservatore në Dartford, ku nuk fitoi.

Vetëm 9 vjet më vonë, në vitin 1959, në moshën 34 vjeçare, ajo zgjidhet deputete e Parlamentit Britanik për zonën e Finchley-t. Dy vjet më vonë përfshihet në ekzekutiv si Sekretare Parlamentare në Ministrinë e Pensioneve dhe Sigurimeve Shoqërore. Në vitin 1970 Margaret Thatcher emërohet ministre në kabinetin qeveritar si Sekretare Shteti për Arsimin dhe Shkencën. Pas disfatës që pësoi qeveria konservatore e Heath, në zgjedhjet për lidershipit të partisë në 1975, për çudinë e të gjithëve, Margaret Thatcher zgjidhet lider e Partisë Konservatore Britanike dhe lider i opozitës (në periudhën 1975-1979).

Kur konservatorët fituan zgjedhjet parlamentare të vitit 1979, Margaret Thatcher emërohet si Kryeministre, duke shënuar kështu të parin rast në histori dhe të vetmin deri më sot, të një kryeministreje grua të Britanisë së Madhe. Margaret Thatcher mban rekordin e qeverisjes më të gjatë në Britani për më shumë se 150 vjet që nga konti Robert Jenkinson (kryeministër 1812-27) për 11 vjet e gjysmë (1979-1990). Deri në maj të 2005-s ajo ishte e vetmja kryeministre britanike që kish fituar tre zgjedhje parlamentare radhazi (1979, 1983 dhe 1987) ku konservatoret fituan me diferencë të thellë ndaj laburistëve (ky rekord u thye për herë të parë vetëm në maj të 2005 kur Blair fitoi për të tretën herë rresht).

Ajo është gjithashtu e vetmja ndër të gjithë kryeministrat e shekullit të 20-të që iu kthye emri në “ism”. Thatcherizmi u bë ideologjia që frymëzoi jo vetëm pasuesit, por dhe kundërshtarët e saj. Siç thotë Malcom Smith “A measure of the success of Thatcherism in changing ideas has been the abandment of thë mainstream Left of so many of ëhat seemed to be the central tenets of British socialism” (Masë e suksesit të Thacherizmit në ndryshimin e ideve është abandonimi nga ana e të majtëve e shumë prej atyre që konsideroheshin si parimet themelore të socializmit britanik). Gjatë qeverisjes së saj, u përmirësua ndjeshëm situata ekonomike e vendit, gjë që u arrit nëpërmjet një programi radikal privatizimi (i pronave e monopoleve shtetërore dhe ndërmarrjeve shtetërore industriale), liberalizimi dhe kompeticioni.

Britania nga “i sëmuri i Europës” arriti të ri-bëhej fuqi e madhe ekonomike (e dyta në Europë). Të tjera reforma të rëndësishme që kabineti i udhëhequr prej saj ndërmori ishin kufizimi i “shtetit social” (Welfare State), ulja e taksave, shpenzimeve publike dhe kufizimi i sektorit publik, ulja e inflacionit nëpërmjet politikave monetare, futja e mekanizmave të tregut në shëndetësi dhe arsim, reformimi i sindikatave (trade unions) që deri atëherë kishin një fuqi të madhe dhe heqja dorë nga korporatizmi në përcaktimin e politikave ekonomike dhe monetare. Politikat Thatcheriane synuan minimizimin e rolit të shtetit dhe rritjen në mbështetjen, lirinë dhe përgjegjësinë e individit.

Ajo konsiderohet si figurë shumë e rëndësishme në historinë e politikës britanike, sepse më shumë se partisë së saj, ajo i shërbeu vendit të saj. Nën udhëheqjen e saj Britania fitoi Luftën e Ishujve Falklands kundër Argjentinës në 1982 dhe ndoqi një politikë efektive dhe kurajoze në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sigurisht, kontributi i saj më i rëndësishëm në politikën e jashtme, në një aleancë të ngushtë me Presidentin amerikan Ronald Regan, është në përmbysjen e komunizmit në Europën Lindore. Jo më kot Bashkimi Sovjetik i ngjiti nofkën “The Iron Lady” (Zonja e Hekurt), që më shumë se çdo gjë jep portretin e kësaj gruaje të rrallë. 

Në nëntor 1990 ajo dha dorëheqjen si lider e partisë dhe si kryeministre për shkak të konflikteve brenda partisë së saj. Dy vjet më vonë ajo largohet nga “House of Commons” (si deputete) dhe bëhet anëtare e “House of Lords” të Parlamentit Britanik, duke u bërë Baronesha Thatcher of Kesteven, titull që e mbajti deri në fund të jetës. Ajo ka shkruar dy vëllime me kujtime “The Downing Street Years” (1993) dhe “The Path to Power” (1995), si dhe librin “Statecraft” (2002).

Margaret Thatcher mbetet një nga politikanët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të, që ka lënë gjurmë jo vetëm në historinë dhe politikën britanike, por edhe atë botërore, apo siç njihet “the greatest political icon of the 20th century”. Për më shumë se dhjetë vjet ajo ishte një nga politikanet më të fuqishme e të famshme të botës.

Siç shkruan Andrew Roberts “In today’s age of political pigmies, Margaret Thatcher is a giant”(Në kohën e sotme të politikanëve xhuxha, Margaret Thatcher është një gjigand). E pajisur me një energji të jashtëzakonshme, vitalitet, integritet, vendosmëri, përgjegjshmëri, vizion, dhe mbi të gjitha me kurajo, ajo bëri gjëra që dhe burrat nuk do guxonin t’i benin. Creëe e përshkruan atë si një udhëheqëse luftarake “Mrs. Thatcher had a ëarrior style: setting objectives, leading from the front, confronting problems, holding her position”. Ajo arriti jo vetëm të mbijetojë, por të arrijë një sukses të paparë në bastionin eksluziv të burrave, atë të politikës. Prandaj Chris Moncrieff e ka quajtur atë “the hurricane in skirts” (uragani me fustan). 

Vendi që ajo zë në historinë e Britanisë është unik, ajo është një ikonë e Britanisë kudo në botë. Idetë, parimet dhe politikat Thatcheriane do të vazhdojnë të frymëzojnë politikanët dhe burrat e shtetit. Revolucioni Thatcerian transformoi jo vetëm konservatorët, por dhe laburistët. Siç thotë Lord Howe of Aberavon “Triumfi i saj qëndron në faktin që ajo transformoi jo një parti, po dy, kështu që kur laburistët u kthyen në pushtet në 1997 (pas 18 vjetësh) ndryshimet dhe politikat Thatcheriane u pranuan si irreversibile”.

Politikat Thatcheriane frymëzuan laburistët për matamorfozën e Blerit dhe krijimin e “New Labour”. “What would Thatcher have done?” (Çfarë do të bënte Thacher?) – besoj kjo është shprehja, thoshte me shaka deputeti konservator Michael Portillo, që Tony Blair i bënte vetes çdo ditë kur ishte kryeministër kur shihej në pasqyrë. Në një sondazh të zhvilluar në 2005-n nga Populus Network për të parë klasifikimin e kryeministrave britanikë pas Luftës së Dytë Botërore, Baroneshë Thacher u rendit e para si “shumë e suksesshme” me 55%, e ndjekur nga Winston Churchill me 40% dhe pastaj nga Tony Blair me 27%. Lady Thacher do të mbetet padyshim nga figurat më të rëndësishme politike të Britanisë dhe të botës, që do frymëzojë breza të tërë politikanësh.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›