Duam pushtetin, paçka se s’kemi një program qeverisës

Retorika propagandistike majtiste nuk mund të zëvendësojë platformën e së ardhmes
Ky shkrim nuk e anashkalon temën nëse fillon me lajmin e fundit: Shqipëria përcaktohet nga Sllovenia si “viktimë e pafajshme” nga ana e saj. Është një mënyrë e ndershme dhe e sinqertë, një trajtë vetëkritike e çlirët, për dhënien e OK-it për pranimin e Shqipërisë në NATO. Këtë e shpreh qartazi tani. Në të vërtetë, Sllovenia disa rezerva i ka me Kroacinë, për shkak të disa mëtimeve kufitare, në vijën e tyre gjeografike të përbashkët. Dhe Kroacia, së bashku me Shqipërinë, janë kandidatet e tanishme për në NATO. Sidoqoftë, Sllovenia, tani së fundi, flet shkoqur, në mënyrë të diferencuar.
Propaganda majtiste është çjerrur së ulërituri, në trajtë triumfaliste, se “Sllovenia refuzon hyrjen në NATO të vendit tonë”. Del ashiqare, si kurdoherë, ajo dëshirë ogurzezë e opozitës sonë nihiliste që Shqipëria, e drejtuar nga qeveria e suksesshme e Berishës, “ e ka të vështirë të anëtarësohet në NATO, për shkak të vetos kundërshtuese të Sllovenisë”. Kjo dëshirë shprehet dallueshëm, sepse i del blof slogani opozitar i propagandës ndjellakeqe me tonet e Kasandrës, dëshmi se jemi përpara një dashakeqësie sipas së cilës Atdheu ynë le të humbasë edhe shanset fatlume, vetëm e vetëm që Shqipëria mos të paraqitet e suksesshme, mjafton që ky lloj majtizmi të fitojë disa pikë në ambicien e tij për pushtet: “Le të dëmtohet e pritmja e vendit tonë, vetëm né ta marrim pushtetin”.
Veçse nuk kanë thënë gjer tani se ç’u duhet ky pushtet! Për të bërë vazhdimësinë zvarritëse të tetëvjeçarit? Që vendi ynë të marrë namin e keq të pasurimit të kupolës qeverisëse të asaj kohe dhe të kontribuesve banditë të ’97-s me kallash krahqafë, apo me të tre gishtat lart, tribunave dhe shesheve? Që të rifillojnë qarjet e ankimet rishtazi nga e para, se 1998-a dhe 1999-a nuk u dashkan marrë në analizë, për dështimet e plota ekonomike, sepse ishin vitet pas rrënojës së 1997-s, - të cilën e kishin jetësuar vetë,- me synim që të merrnin pushtetin në mënyrë të dhunshme? Banka Botërore kishte llogaritur si përvetësime vetjake 1,4 miliardë dollarë në vit, gjatë atij tetëvjeçari socialist qeverisës.
Është e vështirë të përshkruhet me nota më të zeza nga ç’e ka paraqitur Edvin Rama këtë tetëvjeçar rrënimtar, në kohën kur donte të bënte efekte aktoreske në një auditor injorantësh, apo këpëdarësh, - ose edhe “kongresmenësh”,- siç u quajtën me tallje nga gallataxhinjtë e Fiksit të asaj kohe, të hipnotizuarit nga demagogjia edviniste . E kishin hak humbjen e pushtetit, për atë qeverisje mizerabël, për atë korrupsion të paparë, për atë trafik të pandalueshëm të drogës, të qenieve njerëzore.... (e ç’t’i themi të gjitha denigrimet e Ramës të atij pushteti të cilin kërkon ta risjelllë në fuqi?). Këto binin, natyrisht, në kurriz të Nanos, të cilin deshi ta nxirrte përtej arenës politike, - siç ia arriti, në të vërtetë.
Por Ed Rama harroi se edhe ai pati një qeverisje proporcionesh të tjera, natyrisht, po aq të dështuar sa edhe qeveria e madhe ( e të njëjtit formacion politik). I kishte dalë nami i zi edhe bashkisë së tij. U krijua edhe një komision parlamentar, i cili nuk u lejua të kryente detyrën e tij. Obstruksioni ishte i kallëpit të njerëzve të shthurur, arrogantë e cipëplasur. Kishte marrë me vete një alamet altoparlanti me bateri dhe nuk u jepte kohën e nevojshme investigatorëve të korrupsionit të tij, që hetohej në interieret e bashkisë, duke buçitur me zërin e tij si të Hitlerit, të amplifikuar nga altoparlanti të cilin nuk e lëshonte nga dora. Madje, në atë rrëmujë llafesh që nuk dëgjonte i pari të dytin, u mor vesh, - megjithatë, - se i akuzuari për korrupsion nuk pranonte të hapte as kasafortat për të shqyrtuar “faturat” e tij të dyshimta, duke bërtitur se investiguesit nuk kishin paguar taksën e marrjes së dublikatave, sipas kritereve zyrtare! (Sikur kërkoheshin dokumente private, nga ana e shqyrtuesve të mënyrës së dhënies së licencave të ndërtimeve fitimprurëse për kryebashkiakun!)
Këto metoda, të cilat kryetari i bashkisë i përdori edhe më tej, doemos që do ta çonin në një ngecje të mëvonshme. Që të mos zgjatemi në rastet, le të mjaftohemi në atë të fundit: Në mosmiratimin e fondit buxhetor të bashkisë, për dy herë. LSI-ja mëton se nga këshilltarët e saj i janë vënë në dukje parregullshmëri të shumta, për të cilat kryetari nuk e ka vënë fare ujët në zjarr. Shpenzimet nuk janë paraqitur në mënyrë të detajuar. Këshilltarët e PD-së, kanë vërtetuar se nuk janë bërë rrugët e territorit të minibashkive, ndonëse taksapaguesit kanë paguar për ato rrugë, të cilat u lanë në mëshirën e shiut, të baltës e të pluhurit. Sa për shkollat, shkollat e reja janë harruar, të vjetrat janë bërë të rrezikshme, me rënie tavanesh! Janë vëzhguar inaugurime të të njëjtit objekt dy ose më shumë herë! Është folur edhe për nxjerrjen dy herë të fondit për të njëjtin objekt.
Por shtypi ka vënë në dukje edhe një dukuri kapadaillëku. I zemëruar nga pyetjet që e akuzonin për mungesë transparence, kryetari i bashkisë e kishte braktisur mbledhjen. LSI-ja thotë se do ta rrëzojë projektbuxhetin edhe për herë të tretë. PD-ja është vendosur që të mos pranojë arbitraritetet e kryetarit. Dhe ka gjasa që kryetarit t’i kërkohet dorëheqja, për këto qëndrime jokorrekte ndaj analizës së minibashkive, të cilat u bënë shumicë në votëbesimin e fundit kundër kryetarit të bashkisë.
Në mësymjen e vet kundër qeverisjes Nano, kandidati për kryetar të PS-së nuk përmendi edhe disa nga bëmat e tij, apo hyneret me protagonist Blendi Gonxhen, nënkryetarin dhe ortakun e vet, i cili çau ferrën për atë që u punoi banorëve të Tiranës së Re, me hapjen e ujërave që përmbytën një pjesë të Tiranës dhe shkaktuan dëme të pallogaritshme në katet e para të banesave dhe në magazinat. Dallgët e vërshimeve të Liqenit artificial të Shën Prokopit, ua prenë të ardhurat atyre të cilëve iu kalbën mallrat në këto magazina. Në një shi që ra në Tiranë tani, kohët e fundit, u mblodhën bash këta qytetarë që s’lanë gjë pa thënë kundër premtimeve edramiste, se do të dëmshpërbleheshin për këtë katastrofë jonatyrore! (S’ishte, pra, vetëm F. Nano, me atë premtimin e tij të rimbursimit 100 % të firmave huamarrëse, por edhe E. Rama, me premtimet e tij që i mori era! Asnjë euro dëmshpërblim, për vërshimet ! Pra, në atë panoramën e zezë përpara këpëdarëve, duhej përfshirë edhe aktiviteti i përzishëm i E. Ramës!
Sahati i Tiranës ka mbetur ende qorr. Të katër faqet tregojnë orë të ndryshme! As kaq gjë s’mund të bënte bashkia, për një Sahat të qytetit që ka Tirana? Justifikimet për fonde dihen. Se ai duhet të marrë dhjetë pa të investojë një! Ai përligjjet i ka në majë të gojës, për veten e vet. Ashtu sikundër edhe për atë pjesë rruge, që nuk matet me kilometra, por është tepër e rëndësishme, megjithatë, për vetë pozicionin që ka. Është para ministrive, në pjesën që ndan dy nga bulevardet më të mëdha të shtetit tonë. E, megjithatë, kjo është lënë, gjithashtu, për mbledhje fondesh! Në këtë rrugë kushedi sa amortizatorë makinash kanë dalë jashtë përdorimit, nga gropat e njëpasnjëshme!
Mund të flitet shumë për “sukseset” e tilla të Ramës. Por ai kërkon pushtetin, pa na thënë se çdo të bëjë. Apo do të bëjë vazhdimësinë e tetëvjeçarit dhe të na i paraqesë ato vocërrina punësh si suksese të mëdha, siç janë ato gropat në sheshin më të dukshëm të Tiranës, që akuzojnë ende, me gojën e tyre të hapur?
Rama është i llafeve, i akrobacive për të mbuluar defektet e vetvetes dhe i nihilizmit të punëve të mëdha, që s’mundet t’i kryejë vetë. Nuk është i projekteve, siç e tregoi edhe pseudoprojekti i buxhetit bashkiak. Kërkon të marrë pushtetin, por pa asnjë platformë! A mund të besohet një njeri i tillë? Populli ynë nuk mund të marrë përsipër një aventurë të tillë mirëbesimi, siç kërkon Edvini, dhe t’ia fillojë sërish punës nga e para!
...