E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i shpreh ngushëllime familjes së diplomatit të njohur, Ambasadorit Ljublin Dilja



Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një telegram ngushëllimi familjes së diplomatit të njohur, ambasadorit Ljublin Dilja, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.


Në këtë telegram, kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet e tij të afërmëve të të ndjerit dhe vlerëson kontributin e madh e të çmuar për vendin dhe kombin e tij në fushat më të rëndësishme, si në atë parlamentare e akademike ashtu edhe në fushën e diplomacisë së re shqiptare.


“Ndarja nga jeta e bashkëshortit, prindit dhe birit tuaj të dashur, mikut tim të paharruar, Ambasadorit Ljublin Dilja, pikëlloi thellë mua, qeverinë dhe të gjithë shqiptarët.


Pas vendosjes së demokracisë në vend, Ljublini përfaqësoi me dinjitet, profesionalizëm e përkushtim të madh Shqipërinë si Ambasador në Uashington duke dhënë një kontribut të madh në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit miqësor e të gjithanshëm midis dy vendeve dhe kombeve tona.


Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Ljublin Dilja u shqua për vlerat e tij intelektuale dhe mbrojti me përkushtim të madh interesat e qytetarëve dhe qytetit të tij të lindjes, që i dhanë besimin e tyre gjatë Legjislaturës së XVI.


Duke ndarë me ju dhimbjen e madhe, ne miqtë e Ljublinit lutemi së bashku me ju, që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”, përfundon telegramin e tij ngushëllues kryeministri Berisha.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›