E Shtunë, 31 Tetor 2026

A na duhet një Robespier, që edhe tek drejtësia të vijë Koha për Ndryshim?

1. Të barabartë para ligjit - Nëse do të isha i detyruar të zgjidhja midis drejtësisë së politikanëve dhe asaj të gjyqtarëve. Nuk do të kisha asnjë dyshim. Do të zgjidhja atë të gjyqtarëve. Edhe pse kam një qëndrim të ndërdymë. Sepse ka disa qëndrime, ose disa vendime sentencash dhe nisma që nuk kuptoj e mbështes: por, larg o zot, preferoj të paraqitem në gjykatë, për t’u vlerësuar, në një sallë gjykate, sesa përpara një aparati politik shqiptar. Aparatet politike shqiptare kanë disa rrënjë në të kaluarën e zezë. E zeza e mbulon të bardhën. Nuk i dihet. Por përpara ligjit thuhet se jemi të gjithë të barabartë. Ndërsa i dyti, pushteti, ka shumë kohë që ka luajtur me ligjin, me rregullatorin e bashkësisë: në këtë klimë do të thosha alla-Orwell, po konsumohet përditë një lloj drejtësie sa vjen e behet edhe më i (pa)barabartë. Ka më shumë se një dhjetëvjeçar një derë zi impuniteti vlon në drejtësi. Impuniteti si njëfarë “pa-ndëshkimi” moral e shoqëror mbin në ato njerëz që kanë një qëndrim përbuzës e mospërfillës kundrejt të tjerëve. Efekti i pa-ndëshkimit pastaj vjen vetvetiu. Kështu në një brez të vetëm është ndryshkur ideja dinakërisë në çdo qelisë, ku shqiptari administraton “pronën” publike. Kurimi apo amputimi i “degës së kalbur” nuk është bërë. Kështu kjo “degë” e trazuar rëndon trungun e shoqërisë dhe i merr asaj resurset jetike. Të pa-kallëzuar nga organet e hetimit janë bërë edhe më arrogantë në sjelljen e tyre publike. Kuptohet vetiu pse ndershmëria e pastër sot konsiderohet një ves i madh e i lig për administratorët e pushtetit lokal e qendror. Prandaj mund të themi se nuk është e vërtetë, në mënyrë absolute, se në Shqipëri nuk ka drejtësi. Ka një lloj drejtësie por është e vërtetë se atë nuk duhet t’ia kërkosh gjykatësit apo prokurorit, por sidomos deputetit, apo kurdomos Ministrit, sipërherë gazetarit, kurdoherë atij avokatit me miq shumë etj. etj. Edhe mund të gjendet e vërteta, por adresa mund të jetë e gabuar.

                      ***

2.Drejtësia në raportet e huaja - Koha për ndryshim. Kishim ndonjë shpresë me ndryshim e kryeprokurorit të radhës, të anëtarëve të KLD-së, të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese besohej se bashkë me mbështetjen e maxhorancës pozitive do të kishte një ciklon epurimi dhe reformimi në drejtim të klizmës korruptive që tentakulonte drejtësinë dhe vendin, por hiç. Hiç shpagim, hiç drejtësi. Kushtet nuk ishin të favorshme. Favori ishte më i favorshëm. Pellgëzimi dhe kalbëzimi i shoqërisë vjen sidomos si pasojë e mbytjes së demokracisë së barabartë dhe degës së saj më aktive, pra drejtësisë. Në drejtësi më duket se vuajmë nga sëmundja alzheimerit, një debilizim i arsye-hetimit. I tejskajshëm. Dridhemi e përdridhemi si korent kur flasim për çështjen e reformës në drejtësi. Sot mjerisht na e thonë të gjithë që kemi nevojë për një super-reformë. Përshembull:  mjafton t’i ri-hedhësh edhe njëherë, kësaj radhe jo një po

dy-sy, raportit të fundit të bankës botërore: Doing business 2009, për të kuptuar që s’ka vend për shpresë. Dritëshkurtësia vjen edhe nga izolimi i informacioneve për raportet ndërkombëtare. Në këtë rast, gazetaria shqiptare nuk bëri detyrën e saj hetimore mbi Raportin doing business 2009, me konfirmuar atë apo duke përgënjeshtruar lajmin që vjen nga zyra e bankës botërore në Shqipëri, se kinse renditja e Shqipërisë kishte bërë përparime në fushën e biznesit. Në këtë mes ka diçka të vërtetë, por jo gjithçka. E vërtetë, Shqipëria ka bërë reforma, por jo super-reformën në drejtësi. Duke na penalizuar dukshëm në renditje. Kur na duhet ne shohim gotën gjysmë plot, kur s’na duhet e shohim gjysmë bosh. Jo, gjërat thuhet për së drejti, në mënyrë të pa-anshme. Lajmi i byrosë shqiptare: “Përveç kësaj Shqipëria ka marre fjale te mira ne dy raporte me influence: "Doing Business" te Bankës Botërore dhe indeksin e "Transparency International" mbi korrupsionin. Nëse drejtësia do të bëjë punën e saj këtë vit, notat e vitit të ardhshëm duhet të jenë akoma edhe më të mira”. Ky lajm fut brenda shumë gjëra. Por asgjë të shijshme. A e dinë shqiptarët se ky klasifikim është i kompiluar edhe me një indeks tjetër? Natyrisht që nuk përmendet, pra indeksi, ndër më të rëndësishmit, duke “krahasuar efektivitetin e sistemit gjyqësor për t’i dhënë shpagimin një pale të dëmtuar, dhe një rikuperim të një pagim të skaduar”. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar në indeksin “enforcing contracts” kemi bërë mbrapa me një vend nga 88 në 89-të. Kush nuk beson mund ta konsultojë on-line Raportin doing business 2009. Ne shikojmë rezultatin final dhe jo si kemi “luajtur” me reformat. Në drejtësi kemi bërë hapa mbrapa gjatë një viti. 

Raporti doing business 2009, raporton se SHBA-të janë në vend të 6-të, Gjermania në vend të 9-të, Franca në të 10-in, Japonia në vend të 21-të dhe vendet e OSBE-së, duke bërë mesataren e të mirëve dhe mediokreve janë në vendin e 33-të. Spanja që nga shtetet evropiane është pozicionuar keq bashkë me Italinë, në vendet njëra në 53-in, madje e dyta në të 156-in. Shqipëria në vendin e 80-të në 181 vende. Një katastrofë. Duke pasur parasysh që ky regjistër nuk përfaqëson vetëm një poshtërim moral. Banka Botërore e stilon për të dhënë parametrat e vlerësimit të operatorëve ndërkombëtare që duan të investojnë në një vend apo në një tjetër. Mesazhi është bruto: d.m.th nga Shqipëria, nëse nuk përparon në disa gjëra, është mirë t’i qëndrosh larg. Përse një i huaj do të vinte e të investonte paratë e tij në një firmë shqiptare përpara disa historive ekzemplare?

                           ***

3. Nuk na duhet Robespieri - Liria e njeriut duhet mbrojtur kundër të gjithave poshtërimeve. Neve nuk na duhet Robespieri për reformuar drejtësinë. Së pari, sepse do të ishte e nevojshme të bëhej kujdes se mos prehej bashkë me lisat e kalbur, ndonjë syth i pafajshëm. Së dyti, sot njeriut i duhet me shume drejtësi sesa liri për t'u shthurur nga sistemi mplekjes me të keqen. Është koha të rrisim vetëdijen njerëzore, të mendojmë njëherë e përgjithmonë se ky vend ka nevojë për drejtësi, element kryesor ky që do të shërbente për t’iu dhënë fund konflikteve ndërveti, midis institucionesh ekzekutive dhe administratës gjyqësore. Nuk na duhet Robespieri, as klubi i shqiptarëve jakobinë. Që përpara quhej jo më kot “Shoqëria e miqve te Kushtetutës”. Diktatorë i përdorin gjithmonë fjalët e bukra. Dihet, pretekst për krijimin e këtij klubi që ka jetuar e investuar 50 vjet në Shqipëri dhe ka qenë “frika nga kushtetuta aristokrate”.

Të njëjtin pretekst e kane shfrytëzuar shume here sot ultra-jakobinët nostalgjikë qysh prej atëherë e deri me sot për krijimin e ideologjive të ndryshme siç janë: socializmi, komunizmi, fashizmi, nazizmi e të ngjashme. Ndërsa sot relikti i atij terrorizmi kanibalësh quhet ideologjia e “shoqëria civile” për kushtetutën. Nuk na përfaqësojnë aspak Jakobinët e drejtësisë komuniste. Sot ata xhelatë që kanë duart me gjak janë akoma në drejtësinë shqiptare, nuk ka rëndësi se janë në Gërdec apo Elbasan ata kanë një gjë në kokë: Robespierin. Edhe Enver Hoxha e kishte Robespierin idilin e tij dhe ndoshta këtu mund të gjendet dhe një nga arsyet e shumta që ndryshuan itinerarin e këtij njeriu pas luftës. “Robespieri ishte i drejtë, - shkruante Enver Hoxha në kujtimet e rinisë së tij, - ai ishte i lidhur pas atdheut të tij, i vendosur kundër feudalizmit e monarkisë që tentonte të rimerrte pushtetin, mjeshtër në artin për të ngritur një ushtri revolucionare si brenda ashtu dhe kundër koalicionit të monarkive evropiane që rrethonin Francën”. Drejtësia shqiptare sot për sot e ka klubin e jakobinëve që vjen nga komunizmi enverist, apo stalinist, por kam frikë se zgjidhjet s’duhen kërkuar tek Robespieri. Duhet një stil i ri, çka përbën edhe sfidën më të madhe të mazhorancës

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›