Nuk ka para, shkurtohen ditët e festivalit
Alma Mile
Mjetet shprehëse kanë ndryshuar, gjuha është bërë më e sofistikuar, por idetë mbeten po ato. Klithma e grave trojane, Elektra, apo dervishët, kthehen pas në kohë për të na sjellë mesazhe të forta, që vlejnë edhe pas shekujsh, madje edhe mijëvjeçarësh. Një histori mbijetese është edhe “Butrinti 2000”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrove, që ngre siparin në datën 11 korrik, si gjithnjë në skenën e gurtë, në jug të Shqipërisë. Kur organizatorët e festivalit nisën organizimin e këtij edicioni-jubile, kishin menduar një ngjarje të veçantë, me më shumë trupa pjesëmarrëse dhe më shumë tendenca. Një edicion i 10-të e meriton ca më shumë vëmendje. Në këtë pikë ishin të të njëjtit mendim edhe drejtuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilët në kohën e aplikimit dhe në takimet me drejtuesit e festivalit, premtuan gjithë mbështetjen e mundshme financiare. Por në momentin e firmosjes së kartave, kjo mbështetje rezultoi tepër simbolike, për një festival ndërkombëtar. Mbështetja ishte vetëm 6 milionë lekë të reja. Me gjithë shpresën dhe përpjekjet e presidentit të festivalit, Alfred Bualioti, për të siguruar të tjera fonde, nga të tjera burime shtetërore, nuk u realizua. E sigurisht kjo do të binte në kurriz të festivalit. Nga nëntë ditë të parashikuara, programi u shkurtua në 6. Mbetën jashtë festivalit trupat nga Bukureshti, Sarajeva e Sofja. Mbijetesa e këtij festivali (dhe aktiviteteve të ngjashme) është bërë nga viti në vit më e vështirë. Megjithatë organizatorët premtojnë një edicion me nivel me trupa që vijnë nga Greqia, Kosova, Italia, Turqia e Franca. Sjellin vepra të njohura, që e kanë prekur edhe më parë skenën e Butrintit, por çdo njëra prej tyre ofron ngjyrime dhe mënyra të reja shprehjeje. Jo vetëm teatër, por edhe muzikë live, apo koreografi, duke zgjeruar kufijtë e komunikimit. Kështu, natën e dytë të festivalit, interpreton një trupë nga atdheu i tragjedisë. Ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim në interpretimin e veprave të antikitetit, trupa nga Athina do të interpretojë në skenën antike një danc teatër. Mbrëmja e 11 korrikut, do t’i kushtohet historikut të festivalit, do të ketë një dokumentar të këtij aktiviteti në 10 vjet, por edhe instrumentistë të ftuar, që do të krijojnë një atmosferë festive. Trupa italiane, e cila do të jetë edhe e para që do të ngjitet në skenën e festivalit, do të sjellë një version bashkëkohor të “Grave trojane” të Euripidit, nën titullin “Pasioni i grave të Trojës”. Për herë të parë, në skenën e Butrintit vjen një trupë turke, që sjellin veprën “Dervishi dhe vdekja” nga Mesa Selimovic. Një bashkëpunim mes dy kompanish teatrore kosovare ngjisin në skenë “Fedrën” e Rasinit. Kjo është e vetmja trupë shqipfolëse në këtë edicion të festivalit. Mësohet se gjatë procesit të përzgjedhjes së veprave pjesëmarrëse nuk rezultoi asnjë vepër që t’i përshtatej këtij festivali.
Programi i Festivalit
Dt. 12 Korrik
Ora 21:00 Teatri “Cantieri Teatrali Koreja”, Leçe, Itali
Shfaqja: “Pasioni Grave Trojane” nga Euripidi
Regjisor: Antonio Pizzicato/Salvatore Tramacere
Dt. 13 Korrik
Ora 21:00 Teatri “Politistiko Somateio Roes”, Athinë, Greqi
Shfaqja: Elektra” nga Euripidi
Regjisor: Sofia Spyratou
Dt. 14 Korrik
Ora 21:00 Teatri “Dodona”& “Sythi”, Prishtinë, Kosovë
Shfaqja: “Fedra” nga Rasini
Regjisor: Fadil Hysaj
Dt. 15 Korrik
Ora 21:00 Teatri “Kocaeli Municipality Theatre”, Turqi
Shfaqja: “Dervishi dhe Vdekja” nga Mesa Selimovi
Adaptimi: Nebojsa Bradi
Regjisor: Nurullah Tuncer.
Dt. 16 Korrik
Ora 21.00 Qendra Kulturore “L’Association Mnémosyne”, Francë & Rumani
Shfaqja: “Kënga e Këngëve” nga Cãtãlina Buzoianu
Regjisor: Cãtãlina Buzoianu