Koncert në kujtim të Gjon Simonit
Koncerti në kujtim të muzikantit të mirënjohur Gjon Simoni (1936-1999), që u zhvillua në Hollin “Gjon Simoni”, të Radio Tiranës, më 2 korrik me pjesëmarrjen e formacionit koral të TKOB, sopranos Mimoza Kosturi, në drejtimin e dirigjentit Oleg ARAPI, shënoi dhe mbylljen e stinës koncertore për këtë institucion.
Koncerti i orkestrës së muzikës së dhomës së RTSH-së përbëhej kryesisht me vepra të kompozitorit Simoni, veprimtaria krijuese e të cilit u zhvillua kryesisht në sferën e orkestracionit, gjatë periudhës kur punoi si shef i Redaksisë së Krijimtarisë dhe Regjistrimeve muzikore në Radio Tirana (1969-1980). Prej vitit 1980 deri 1993 ishte shef i katedrës së teori-kompozicionit në Akademinë e Arteve dhe pedagog i lëndës së orkestracionit. Krijimtaria e tij muzikore zhvillohet në zhanre të ndryshme: përpunime të muzikës popullore, muzikë vokale, muzikë dhome, si dhe forma të mëdha të muzikës simfonike dhe asaj skenike. Ai është orkestrues i operës “Toka Jonë”, e kompozitorit Pjetër Gaci. Këngët “Dua më shumë Shqipërinë”, “Më jep ujë me dorën tënde”, “Lule bore” nga Simon Gjoni, ishin përpunime për kor nga Simoni, që u ekzekutuan nga formacioni koral i TKOB në koncertin që u zhvillua në kujtim të veprës së autorit. Ashtu si në sferën e orkestracionit, ku ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm përmes krijimtarisë së tij, e cila përfaqëson modele të një mjeshtërie të lartë artistike, edhe përpunimet vokale karakterizohen nga zotërim i teknikës së përpunimit në funksion të thellimit të përmbajtjes dhe zgjerimit të sferës emocionale. Në përpunimin e këngës “Dua më shumë Shqipërinë” spikati alternimi i regjistrave të formacionit koral në ekzekutimin e strofës. Për herë të parë strofa ekzekutohet nga tenori, baritoni, ndërsa për herë të dytë strofa ekzekutohet nga tenori (solo) në ekzekutimin e korit në sfond duke kënduar nën zë. Ky alternim i regjistrave krijoi ngjyra dhe efekte në zgjerimin e sferës emocionale, pa ndryshuar strukturën melo-harmonike, figuracionin melodik të këngës. Formë të ngjashme përpunimi ka dhe kënga “Lule bore”. Tek këto dy punime korale, koncepti i autorit është i qartë, ai bazohet në alternimin e regjistrave dhe harmonizimin e zërave, pa prekur strukturën melo-harmonike. Kënga popullore përmetare “A kanë ujë ato burime” përfaqëson një stil të veçantë përpunimi, që shprehet në konfigurimin e motivit të këngës, duke ndryshuar vlerat e notave. Një tjetër element shprehës në përpunimin e këngës janë imitacionet polifonike, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në thellimin e përmbajtjes. Arie, J. S. Bach dhe Adagio G-minor, Albinoni, ishin veprat që u ekzekutuan nga orkestra e harqeve e RTSH-së në drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi. Formimi dhe pjekuria artistike e artistëve të orkestrës simfonike të RTSh-së u shpreh para së gjithash në evidentimin e stilit polifonik në interpretimin e Aries, tipar dallues i krijimtarisë së këtij kompozitori. Në interpretimin e Adagio-s në G-minor theksat dhe nuancat e vendosura nga dirigjenti ishin në funksion të simbolikës së veprës, dhe shprehjes së karakterit elegjiak. Tingëllimi i orkestrës u karakterizua nga një ekuilibër, në raport me logjikën e zhvillimit të sferës emocionale, duke evidentuar kulminacionet dhe planet emocionale në të cilat zhvillohej materiali tematik. Romanca “Përse” kompozuar nga Gj. Simoni, në interpretimin e sopranos Kosturi, mbështetet gjerësisht në elementet e këngës, këto shprehen në strukturën melodike dhe atë harmonike.
Klement Kole (kompozitor, studiues muzike)