Dubrovniku në mbështetje të TAP-it, Bumçi: Do jetë projekti fitues
Dubrovnik- Në mbështetje të gazjellësit TAP, ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi ka marrë sot pjesë në Ministerialin e Dubrovnikut, i cili erdhi në vijim të marrëveshjes trepalëshe Shqipëri, Greqi dhe Itali.
Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, në përfundim të këtij takimi Ministrat dolën me një deklaratë të përbashkët, për të treguar angazhimin e fortë politik dhe mbështetjen e plotë të tyre për gazsjellësin Trans Adriatik.
Ne të gjithë besojmë dhe shpresojmë se TAP-i ka të gjitha shanset për të fituar këtë garë. Ne jemi këtu, përsëri, për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme kundrejt dy projekteve TAP dhe IAP, dhe në të njëjtën kohë për të forcuar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer, në një fushë që konsiderohet me prioritet të lartë nga të gjitha qeveritë tona. Ne gjithashtu jemi të inkurajuar nga qasja e vazhdueshme dhe mjaft konstruktive e partnerëve tanë, Komisionit Evropian, SHBA-së, Turqisë dhe Azerbajxhanit. Ndërsa, me rinovimin e angazhimit tonë përmes Deklaratës së Përbashkët me përfaqësuesit e të gjitha këtyre vendeve mike, ne shpresojmë se vendimmarrësit do të marrin parasysh jo vetëm faktin se TAP është më i realizueshëm në aspektin teknik, por gjithashtu gëzon një mbështetje politike të fortë e të bashkërenduar,- tha Bumçi.
TAP është planifikuar të transportojë gazin e Azerbajxhanit nga Greqia për në Itali nëpërmjet Shqipërisë – si një pjesë integrale e Korridorit Jugor të Gazit dhe kjo rrugë, thuhet në deklaratën e përbashkët, është alternativa më e favorshme nga ana tregtare.
Deklarata e përbashkët e ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Greqisë, Italisë dhe Malit të Zi
Në zbatim të “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik” të 13 shkurtit dhe Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Kroacisë dhe Malit i Zi për të mbështetur dhe bashkëpunuar në realizimin e Projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe atë të gazsjellësit Adriatik-Jonian (IAP) të dt. 23 maj 2013;
Duke pasur parasysh se projektet si Gazsjellësi Trans Adriatik dhe ai Adriatik-Jonian janë në përputhje me interesat e Komunitetit të Energjisë dhe objektivat e Bashkimit Evropian për diversifikimin e rrugëve të transportit, ofruesve dhe burimeve të gazit;
Ne, Ministrat, u mblodhëm në një takim në Dubrovnik, Kroaci më 12 qershor 2013, edhe njëherë, për të treguar angazhimin tonë të fortë politik dhe mbështetjen e plotë për Gazsjellësin Trans Adriatik. TAP është planifikuar të transportojë gazin e Azerbajxhanit nga Greqia për në Itali nëpërmjet Shqipërisë – si një pjesë integrale e Korridorit Jugor të Gazit dhe sipas nesh, është alternativa më e favorshme nga ana tregtare.
Ne, Ministrat, gjithashtu deklaruam mbështetjen tonë të plotë për interkonjeksionin e mëvonshëm midis TAP-it dhe IAP-it, për të lejuar furnizimin optimal me gaz për Evropën Jugore dhe rajonin e Evropës Juglindore në veçanti. Ne besojmë se kjo do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit energjetik të rajonit, i cili është jetik për zhvillimin e tij të përgjithshëm dhe mirëqenien në të ardhmen.
Ne, Ministrat, diskutuam gjithashtu për angazhimet tona përkatëse në lidhje me zhvillimin dhe funksionimin e projekteve TAP dhe IAP, si dhe për përgatitjen e tregjeve tona për marrjen e gazit Kaspik.
Duke pasur parasysh rëndësinë që Azerbajxhani, Komisioni Evropian dhe Turqia i kushtojnë çështjeve të shpërndarjes dhe diversifikimit të burimeve energjetike brenda një kuadri më të gjerë evropian, ne, Ministrat, gjithashtu pranojmë dhe mirëpresim praninë e përfaqësuesve të tyre të nderuar në mbledhjen e sotme në Dubrovnik.