Duel për kreun, Prishtina - Drita
Dy pretendentët për titull, Prishtina dhe Drita do të ballafaqohen mes veti të shtunën në kryeqytet, në ndeshjen derbi të xhiros së njëmbëdhjetë të Superligës, e cila pritet të mbledh numër të madh shikuesish.
Deri në javën e kaluar prishtinasit ishin liderë në Superligë, por këtë status e humbën pas disfatës që e pësuan në Skenderaj nga Drenica. Këtë gabim të kryeqytetasve e ka shfrytëzuar Drita, e cila mposhti KEK-un, për ta marr pozitën e liderit.
Kështu, gjilanasit, të cilët akoma nuk e kanë pësuar asnjë humbje, aktualisht janë të parët në tabelë me 22 pikë, të ndjekur nga bardhekaltrit të cilët kanë vetëm dy pikë më pak.
Por trajneri i bardhekatërve Ramiz Krasniqi beson se futbollistët e tij kanë fuqi për t’ia shkaktuar Dritës humbjen e parë në këtë edicion dhe për ta rimarr primatin në elitë.
“Drita është në formë të shkëlqyeshme, me disa lojtarë shumë cilësor. Pavarësisht respektit, ne do të bëjmë çmos që t’ia ndalim hovin kësaj skuadre, edhe pse nuk do ta kemi lehtë. Ne vazhdimisht po krijojmë shumë raste, por po dështojmë t’i konkretizojmë në gol. Kemi punuar për ta korrigjuar këtë. Do ta japim maksimumin që të shënojmë fitore dhe secili futbollist duhet ta jep atomin e fundit nga vetja për ta arritur synimin”, deklaroi Krasniqi për Express.
Për këtë takim, strategu prishtinas nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Azem Ahmetit, Suad Saliagiqit, Leutrim Beqirit, derisa në pikëpyetje është edhe Astrit Fazliu.
Sigurisht që Prishtina nuk do ta ketë lehtë ta arrij objektivin, pasi përballë do ta ketë Dritën, e cila në këtë edicion nuk e ka ndërmend të lëshoj pe nga lufta për titull të kampionit.
“Aktualisht jemi të parët në tabelë, dhe normalisht që në duel me Prishtinën presim fitore për ta ruajtur kreun. Por, kur kemi parasysh se Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe ne do të luajmë si mysafirë, edhe barazimi nuk do të ishte i keq. Mirëpo, fitorja është objektivi kryesor, sepse edhe në Prishtinë do të përkrahemi nga tifozët tanë”, ka thënë një ndër futbollistët më të mirë të Dritës, Florent Osmani, i cili shpreson që të shënoj gol edhe në kryeqytet.
Pa dyshim, ky takim pritet të tubojë numër të madh të shikuesve. Për atmosferë në stadium do të përkujdesen dy grupet e tifozëve ndër më të zjarrtat në vend, ‘Plisat’ e Prishtinës dhe ‘Intelektualët’, të cilët kanë paralajmëruar se në numër rekord do të udhëtojnë nga Gjilani drejt kryeqytetit.
Superliga - xhiroja e 11-të
E shtunë
Liria – Drenica
Prishtina – Drita
E diel
Gjilani – Hysi
Besa – Lepenci
Trepça - Trepça ’89
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 14:00