E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Kek, kandidat për Shqipërinë

Pas largimit të Josip Kuzes, Besnik Hasi mbetet emri më i lakuar për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare, megjithatë, listës së kandidatëve u është shtuar edhe Matjaz Kek. Trajneri është një prej alternativave gjithmonë të pëlqyera nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.

I përfolur më parë si një alternativë për stolin kuqezi, tashmë 50-vjeçari duket një mundësi reale. Kjo për faktin se Kek është në prag të largimit nga drejtimi i përfaqësueses së Sllovenisë. Lajmi është bërë i ditur nga “nogomania.com”, që theksonte se federata sllovene ka zgjedhur të mos i vazhdoj kontratën trajnerit, pasi synohet të gjendet një trajner, i cili do të hapë një cikël të ri në këtë Kombëtare për Kupën e Botës 2014.

Megjithatë Besnik Hasi vazhdon të mbetet pretendenti kryesor për stolin kuqezi. Madje ish-futbollisti i kuqezinjve pritet të zbarkoj në Tiranë këto ditë për të biseduar me drejtuesit e FSHF’së. Ndër emrat që përmenden si pasardhës të mundshëm të kroatit, janë edhe holandezi Erwin Koeman dhe slloveni Srecko Katanec.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›