Duka: Trajner të ri për një energji të re
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas takimit që pati me kroatin Josip Kuzhe, pranon se ende nuk e ka një kandidat real për stolin kuqezi
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kishte kohë që e kishte ndarë mendjen për largimin e kroatit Kuzhe. Megjithatë, njëshi i futbollit në Shqipëri ende kërkonte të zgjidhte disa enigma në bisedën e fundit të zhvilluar me kroatin në selinë e FSHF-së. Në atë takim që zgjati rreth 75 minuta, Duka e Kuzhe kanë diskutuar me njëri-tjetrin çështje të ndryshme dhe jo vetëm anën kontraktuale të kroatit. Pas përfundimit të takimi, presidenti Duka lëshoi edhe një intervistë të shkurtër, ku saktësoi se mbyllja e aventurës kuqezi të kroatit ishte një vendim i përbashkët me Kuzhen dhe se trajneri i ri që do të vijë në krye të stolit të Shqipërisë, duhet të sjellë një frymë dhe energji të re.
Zoti Duka, çfarë vendosët në takimin me trajneri Kuzhe?
E kemi ndërprerë marrëdhënien me trajnerin Kuzhe, d.m.th., nuk do ta rinovojmë kontratën për të ardhmen dhe tashmë do të jemi në kërkim të një trajneri tjetër për ekipin kombëtar për edicionin e ri.
Çfarë diskutuat në takim?
Tani të dy palët diskutuam që do të ishte më mirë një trajner i ri, një energji e re për edicionin e ardhshëm dhe gjëja që mund të ndryshojmë është pikërisht trajneri dhe shpresojmë që trajneri i ri të na i sjellë këto energji të reja.
Keni piketuar ndonjë emër për postin e trajnerit të Shqipërisë?
Realisht, për të qenë etik, nuk mund të diskutonim për emra të tjerë ende pa mbyllur një marrëveshje që kishim me trajnerin Kuzhe dhe që kemi bashkëpunuar për tre vjet. Nga dita e sotme jemi të lirë që të kontaktojmë kandidaturat që edhe mund të kenë ardhur në rrugë formale ose informale dhe t’i studiojmë ato për ta vendosur trajnerin e ri sa më shpejt me qëllim që dy ndeshjet miqësore të nëntorit t’i shërbejnë edicionit të ri.
Është përfolur shumë për Besnik Hasin.
Unë nuk di asgjë dhe nuk kam vendosur asnjë takim me askënd.
Preferenca juaj është një trajner i huaj, apo shqiptar?
Dëshira ime është që t’i japim një trajner sa më të mirë pankinës shqiptare dhe që të ndihmojë sa më shumë në arritjen e objektivave.
Kandidatët e mundshëm
Besnik Hasi
Ishte i pari kosovar që u afrua në kombëtaren kuqezi. Hasi e luajti ndeshjen e parë me Shqipërinë në vitin 2000 dhe gjatë shtatë viteve koleksionoi 47 përfaqësime dhe 2 gola të shënuar. Hasi ishte njeriu që i hapi më pas rrugën afrimeve të Canës me shokë. Aktualisht, ish-mesfushori mban rolin e zëvendëstrajnerit tek ish-skuadra e tij ku pati edhe arritjet më të mëdha në karrierë, Anderlehti. Besnik Hasi është preference e parë e Dukës.
Bledar Kola
Ish-mesfushori i Panathinaikosit ka qenë një ndër yjet e vërtetë të kombëtares kuqezi në vitet 1997-2002. Lojtari që e pati karrierën të ndikuar nga dëmtimet e shpeshta, mbahet mend sidomos për golin ndaj Gjermanisë në “Bay Arena” në ndeshjen e humbur 2-1. Kola është aktivizuar në 39 ndeshje me Shqipërinë duke shënuar edhe 6 gola. Që nga viti 2007, Kola punon në akademinë e të rinjve të skuadrës së AEK-ut të Athinës.
Rudi Vata
Një nga mbrojtësit më potentë të historisë kuqezi. 11 vite karrierë me fanellën e Shqipërisë në vitet 1990-2001 me 59 ndeshje të luajtura dhe 5 gola të shënuar. Vata e nisi karrierën te Vllaznia për të luajtur më pas në Europë me fanellat e Sëlltikut të Gllasgout, Apollon Limasolit dhe Energie të Kotbusit. Në zgjedhjet e fundit presidenciale të FSHF-së, Rudi Vata ka qenë një kandidat duke dalë hapur kundër presidencës së Dukës.
Ervin Kuman
Është vëllai i Rolandit të madh, por gjithashtu me një karrierë të pasur mes skuadrave si PSV Eindhoven dhe kombëtares së Holandës. Në vitin 1998 nis karrierën si trajner dhe kulmin e arrin në vitet 05-07 si trajner i skuadrës së Fejenordit, ndërsa në vitet 2008-2010 emërohet në krye të stolit të kombëtares së Hungarisë. Holandezi Ervin Kuman është një kandidat potencial dhe një dëshirë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka.