E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dueli Tirana-Skënderbeu, javët që vendosin titullin

TIRANE-Superliga ka hyrë në fazën e saj më delikate, me Tiranën dhe Skënderbeun që janë gati për sprintin final drejt titullit kampion. Dy skuadrat kryesuese të kampionatit shqiptar kanë edhe 9 beteja deri në fund të edicionit për të vendosur se kush do të fitojë trofeun më të rëndësishëm në vend. Por, janë vetëm disa ndeshje që do të përcaktojnë kampionin e ri, duke qenë se një pjesë e sfidave të mbetura duket se nuk paraqesin problem për asnjë prej dy rivalëve. Natyrisht, që takimi më i rëndësishëm për të kryesuesit është përballja direkte, në program më 14 prill në Korçë. Deri atëherë, ekipi i Stanislav Levit do ta ketë përfunduar dënimin dhe do të luajë para tifozerisë së tij. Ç'ka do të thotë se për bardheblutë, do të jetë ndeshja më e vështirë në rrugën drejt titullit. Gjithsesi, përveç kësaj sfide, kalendari përgjithësisht favorizon Tiranën, pasi korçarëve u duhet të luajnë në fusha si Kruja, Ballshi e Vlora. Nëse Tirana fitoi me Flamurtarin, një gjë e tillë nuk duket aq e lehtë për Skënderbeun, duke parë urrejtjen e madhe të krijuar mes dy klubeve në dy sezonet e fundit.
Java e 19-të
Por, nuk është vetëm kjo ndeshja decizive. Java e 19-të, në program më më 31 mars, do ta çojë Tiranën në Ballsh, në një fushë tepër të vështirë dhe ku pak skuadra kanë arritur të dalin me pikë. Ndërkohë, Skënderbeu do të presë në shtëpi Teutën, një kundërshtar aspak komod edhe pse korçarët luajnë në fushën e tyre. Kjo javë pritet të vendosë jo pak në betejën për titull, duke qenë se, si Bylisi që luan para tifozëve të vet, ashtu edhe Teuta, nuk duken të gatshëm të pranojnë kompromise.
Java e 20-të
Në javën e 20-të, për Tiranën duken 3 pikë të sigurta, duke qenë se do të presë në kryeqytet Apoloninë, një ekip i "zhytur" në fundin e renditjes. Në krahun tjetër, korçarët do të luajnë në një nga fushat më të vështira të kampionatit për këtë sezon, në Krujë. Kastrioti synon të luajë në Evropë dhe vështirë të tolerojë ndaj korçarëve. Një mungesë fitoreje e tyre, mund të mbajë në krye Tiranën edhe për këtë javë.
Java e 21-të
Është padyshim java që do të vendosë shumë gjëra në luftën për titull. Skënderbeu dhe Tirana do të përballen në Korçë, në një ndeshje "për jetë a vdekje", me korçarët që synojnë të bëjnë revanshin e madh. Por, Tirana nuk duket një kundërshtar i lehtë për skuadrën e Levit, e cila në fushën e saj duket absolute. Në gusht, në ndeshjen e Superkupës, bardheblutë arritën të fitonin 1-0 në mënyrë të pamendueshme, duke marrë trofeun e parë sezonal.
Java e 22-të
Është java e fundit që mund të konsiderohet decizive. Shkak është përballja e Skënderbeut në Vlorë, me Flamurtarin vendas. Një ndeshje e vërtetë, mes dy prej rivalëve më të mëdhenj në Shqipëri në 10 vitet e fundit. Rrallëherë është parë që rivaliteti mes dy skuadrave në futboll të shkaktojë kaq urrejtje dhe rivalitet jashtë fushës së blertë. Tashmë është bërë zakon që çdo ndeshje mes Flamurtarit e Skënderbeut të dhurojë skena jashtë normales, ndonëse ndeshja e para 10 ditëve në Kupë, tregoi shenja "përmirësimi" në këtë aspekt. Tirana do të presë Tomorin në javën e 22-të, por kuptohet që shpresat e saj do të jenë të varura në një pjesë të madhe te ekipi i Shkëlqim Muçës.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›