E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet “Rilindje” pa asnjë ekuivok

Nasho Bakalli/ Ish-Diplomat

Strategjia e hapur dhe teknika racionale që po artikulon PS, edhe në marrëdhëniet me LSI-në, për marrjen e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 duhet përshëndetur. Mendojmë kështu sepse PS-ja nuk mund të ekzistojë pa marrëdhënie politike (e izoluar), nëse i kuptojmë ato si strategji me të cilat individët përpiqen të udhëheqin dhe të ndikojnë sjelljen e të tjerëve. Në vendin tonë nuk ekziston ndonjë telos (?????- fund) që të na shtyjë drejt një fryme besimi tek e mbinatyrshmja. Sepse, sikurse e thotë edhe Klod Lëfor, “demokracia është një aventurë, nuk është një fat”, pra nuk është punë koke apo pil. Demokracia është një “aventurë”, sepse ajo mbart në vetvete mundësi të mëdha historike kombëtare shqiptare, por dhe prirje kundërshtuese, të cilat janë të rrënjosura në të tashmen. Kërkesa popullore që shtrohet sot përpara së majtës shqiptare nuk është që liderët e saj Rama, Gjinushi, Meta, Milo etj., të na kthjellojnë se Liria dhe Drejtësia janë ato parime kapitale që konstituojnë njerëzimin. Se me largimin e Berishës dielli do ta ngrohë më shumë Shqipërinë. Jo. Jo zotëri, sepse, këto punët me llafe të bukura e të mëdha, ose me “dogma për veprim” i dinë mirë shqiptarët, sepse i kanë ngrënë me apo pa qejf për disa dekada me radhë. Por, kërkesa që shtrohet sot para liderëve të majtë është që “Rilindjen Shqiptare” ta servirin në porcione të konsiderueshme dhe të prekshme për punësim, mirëqenie e drejtësi shoqërore për të gjithë. Dhe të mos harrojnë - se pushteti i tyre është i lidhur gjithnjë me një borxh - se i janë borxhli popullit. Ndërsa ne qytetarët e shtetit tonë kapitalist lypet të ndërgjegjësohemi, sa më shpejt që të jetë e mundur se, përse duhet ta mbështesim strategjinë dhe taktikat aktuale dhe perspektive të PS. Aleanca e majtë, e gjerë edhe me LSI-në do të maksimizojë komunikimin, do të forcojë aksionin politik të së majtës, do të gjallërojë fuqinë mbarëpopullore; do të bllokojë lojërat e pushtetit të deritanishëm dhe bëmat e pista të tij. Dhe do të heqë qafe sundimin e plotë që kultivoi me ndërgjegje dhe veprim të lirë Sali Berisha.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›