E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca tronditet nga një gënjeshtër, në Shqipëri të gjithë qeshin

ilitr-yzeiri-1-200x300Nga Ilir Yzeiri

Ka disa ditë që Franca është përfshirë nga një krizë e rëndë besimi. Një ish-ministër i kabinetit të majtë ka gënjyer në deklaratën e pasurisë. Cauhazac, ish-ministri i Buxhetit është arkitekt i sistemit fiskal të tatimit progresiv, që shkon deri në 70% të të ardhurave, është ai pra që kërkonte ti bindte francezët se socialistët e Fransua Holand do të ndërtonin Republikën e shembullore. Për muaj të tërë ai pat mohuar se kishte llogari bankare jashtë vendit. Befas, ai pranon se kishte një të tillë. Pra, pranoi se kishte gënjyer. Mirëpo, në mbrojtje të tij ishin vënë të gjithë që nga presidenti deri te kryeministri. Sot të gjithë ndjehen të tradhtuar dhe demokracia franceze ka pësuar një të çarë.

Një lajm tjetër thotë se një grup i madh gazetarësh nga e gjithë bota po ndërmerr një investigim për të zbuluar evazorët më të mëdhenj të botës dhe llogaritë e tyre të fshehta që mendohet se janë në ishujt Kajmen veç të tjerash dhe në disa vende të të tjera të quajtura parajsa fiskale. Kjo vrimë e zezë fiskale thonë disa mund të jetë edhe një nga shkaqet e krizës së rëndë ekonomike botërore. Duke u marrë me skandalin e ish-ministrit francez, shtypi i huaj kujtonte edhe skandalin e një ministri britanik pse kishte mashtruar bashkë me ish-gruan e tij për shpejtësinë me të cilën udhëtonte. Ndërsa kur vjen rasti për Greqinë shtypi i huaj thotë se në këtë vend mashtrimi fiskal është një sport kombëtar. Dy kushërinjtë e ish-ministrit grek të financave Papakonstantinu u zbuluan se kishin llogari të mëdha në Zvicër, por e gjitha mbaron këtu.

Në Shqipëri, bashkimi i LSI-së me PS-në u ka kthyer buzëqeshjen dy rivalëve të egër, Ramës dhe Metës dhe u ka ngrirë buzëqeshjen jokonformistëve, atyre pak njerëzve që kanë mbetur në këtë vend dhe që e kanë çuar jetën e tyre duke mos bërë kompromise ose thënë më shkoqur duke mos vjedhur. Të vjedhësh nuk do të thotë të marrësh nga xhepat e dikujt një gjë e tia mbathësh vrapit. Të vjedhësh do të thotë të shpërblehesh në mënyrë të pamerituar duke u favorizuar në mënyrë të paligjshme ose nga biznesmenë privatë ose nga qeveria. Të vjedhësh do të thotë të rezultosh i pasur pa bërë as edhe një punë.

Edhe në Shqipëri kategoria e këtyre vemjeve ndjehet e kënaqur sot do tju kthehet përsëri avantazhi që të zënë vendin në stolin ku milen sisët e lopës së shtetit një palë lëtyra të tjera që po ti vini re ju ndrin surrati nga lyra e vjedhjes dhe e abuzimit të ardhshëm.

Për këtë arsye, pakti i Metës me Ramën, e përsëris, është i ligjshëm politikisht, por është tmerrësisht i pështirë moralisht. Është i pështirë se ai do të ringjallë ose do të mbajë përsëri me oksigjen hienat e mafies së abuzimit me pushtetin dhe do të thellojë hendekun shoqëror në Shqipëri. Është e vërtetë se ky bashkim mund të largojë nga pushteti Berishën dhe mafien që ai instaloi në këta tetë vjet. Por të mos harrojmë se një mafie tjetër po bëhet gati të zërë vendet e lëna bosh. Me rivitalizimin e Ilir Metës, nëse PS-ja vjen në pushtet, ne do të vijojmë të shohim të njëjtin film. Për fat të keq këtë film po e shohim edhe në demokracitë e ashtuquajtura të konsoliduara si në Francë. Me një ndryshim. Atje të paktën formalisht përmendet Republika, Franca, virtyti dhe morali. Ndërsa këtu te ne ka dëgjuar ndonjëri ndonjë politikan që të përmendë fjalën Republikë, fjalën Shqipëri? Të gjithë thonë ne, partia jonë, grupimi ynë, koalicioni ynë. Njësoj si bandat… Ndërsa Shqipëria është vendi që duhet plaçkitur dhe Republika ajo që duhet çnderuar…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›