Duhet harxhuar kaq shumë për makinat e komunave?
I nderuar "Shekulli"! Lexojmë në shtyp deklaratat e pasurisë së pushtetarëve, habia nuk është e vogël. Por në këtë shkrim do të ndalem tek automjetet që blihen e shiten.
Kryetarët e komunave sa para harxhojnë nga Buxheti i Shtetit për të blerë makina?!
Hedhim sytë në Buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe kur mbledh shifrat, rezulton se për vitin 2007, për blerje makinash për drejtuesit e pjesë këmbimi për makinat, në qarkun e Dibrës nga Buxheti i Shtetit janë shpenzuar rreth një milion euro dhe plot 1 milion dollarë për karburant, kur ndihma ekonomike në këtë qark për gjithë vitin 2007 ka qenë 3 milionë euro, për rreth 13 mijë familje, me rreth 70 mijë frymë.
Kur mendon se në këtë qark në shumicën e njësive vendore popullsia varion nga 1400 banorë në 4000 banorë, kur fshatrat kanë një mijë e një probleme në arsim, shëndetësi, rrugë, ujësjellës, ujitjen, të blesh 2 milionë e 500 mijë lekë të reja një makinë, nuk e di, por së paku duhet të mendoheshin dy herë përpara blerjes.
Disa shembuj konkretë sipas Buletineve:
Komuna Gurrë në Mat, ka vënë në dispozicion për blerje makine tip "Fuoristradë" shumën 1 milion e 600 mijë lekë, komuna Lis 2 milion e 200 mijë lekë, ndërsa bashkia Klos po e rrethit Mat, që fundja është bashki, 1 milion e 285 mijë lekë, komuna Selishtë, Dibër, 2 milion e 624 mijë lekë për blerje mjet transporti, komunat Tomin e Lurë nga një milion e 600 mijë lekë, komunat Fushë Çidhën dhe Kastriot, Dibër, nga 2 milion e 500 mijë lekë për blerje makine për kryetarët, komunat Melan e Arrës nga 2 milionë lekë secila.
Në Bulqizë, ndërsa bashkia e blen makinën me 1 milion e 200 mijë lekë, po kaq e blen dhe komuna Trebisht me 1300 banorë, ndërsa komuna Ostren e blen me 2 milionë lekë etj., etj.
Shifrat e certifikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik, (institucion ky në vartësi të Këshillit të Ministrave) nuk kanë nevojë për komente.
Vërtet kaq të mira të jenë këto makina?! Ëndërr është, nganjëherë edhe ëndrrat dalin.