Kosovë, fillojnë hetimet për ngjarjet e 17 marsit
Një ekip i hetuesve të Kombeve të Bashkuara ka filluar hetimet për trazirat e 17 marsit të këtij viti në veri të Kosovës, në të cilat humbi jetën një polic ukrainas, ndërsa dhjetëra persona të tjerë u plagosën.Zëdhënësi i UNMIK-ut në Prishtinë, Alexander Ivanko, tha se hetuesit po intervistojnë një numër personash lidhur me këto trazira, duke përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë të Misionit të OKB-së në Kosovë.
Hetimet janë autorizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mon, për të vërtetuar rrethanat që çuan në shpërthimin e dhunës ndërmjet protestuesve serbë dhe policisë së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës si dhe reagimin e autoriteteve për të qetësuar situatën.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko tha se ende është herët për të folur për rezultatet e këtyre hetimeve.
Ekipi i hetuesve, sipas tij, do të përgatisë një raport të cilin do t'ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mon.
Trazirat në pjesën veriore të Mitrovicës shpërthyen një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjatë një operacioni të policisë dhe të KFOR-it për të rivendosur autoritetin e UNMIK-ut në gjykatën e qarkut dhe atë komunale, të cilat pak ditë më parë ishin marrë me dhunë nga protestuesit serbë.