E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet hequr dorë nga debati për laicizmin

05-04-2011 / “Le Monde”

As dështimi që pësoi në zgjedhjet rajonale, as rritja e mbështetjes elektorale të “Frontit Nacional”(FN), madje as edhe shqyerjet që pësoi maxhoranca e tij nuk ia ndryshuan mendimin Presidentit të Republikës. I bërë me dije qysh prej disa javësh dhe i organizuar nga UMP-ja (Union pour un Mouvement Populaire), debati mbi laicizmin dhe vendin që do të zërë Islami, do të mbahet siç ishte paraparë më 5 prill 2011. Nicolas Sarkozy nuk duket se ka shqetësim e ngut tjetër veç këtij. Për më tepër që, si kurrë ndonjëherë më parë, ky debat është i papërshtatshëm dhe i pavend. I papërshtatshëm, pasi nuk u përgjigjet shqetësimeve kryesore të francezëve, të cilët mbartin mbi shpinë hallet e çmimeve të mallrave, të papunësisë, të pasigurisë e të pabarazisë, apo që mbeten gjithnjë në kërkim të asaj që ‘Ndërmjetësuesi i Republikës’, Jean-Paul Delevoye, e ka quajtur ‘solidaritet përafrues’. “Shoqëria jonë – shkruan ai në raportin e tij të fundit – duhet të gjejë rrugën e vlerave, përndryshe tensionet e brendshme do të jenë vetëvrasëse”.
I pavend, se nuk i takon një Republike, e aq më tepër një partie politike, që të kodifikojë besimet fetare, qysh në çastin kur praktikimi i tyre nuk cënon laicizmin dhe ligjin e vitit 1905, apo duke huazuar mënyrën e shprehjes së ministrit të brendshëm Claude Guéant, për të vepruar në atë mënyrë që “myslimanët të ndihen të shpenguar në besimin e tyre”. Në lidhje me këtë çështje - ashtu si edhe në vitin 2009 me çështjen e “Identitetit nacional” - presidenti Nicolas Sarkozy shkon pas gjurmëve të partisë “Fronti Nacional”, me synimin e vetëm që të ushqejë tematikën e tij të kundërshtisë ndaj të huajve. Më 10 Dhjetor 2010, Marine Le Pen (kryetarja e FN-së) ka hequr një paralele të neveritshme mes lutjeve të myslimanëve në rrugët e Francës dhe ‘Pushtimit të Francës’ nga nazistët gjermanë gjatë LDB-së. “Ky është një pushtim i pjesshëm territorial” – pati deklaruar ajo. Më 15 Janar 2011, kreu i shtetit Nicolas Sarkozy, duke iu përqasur “laicizmit pozitiv”, solli në kujtesë  “praktikat fetare që kanë të bëjnë me laicizmin”, duke e vënë theksin kryesisht te myslimanët dhe “thirrjet për falje në hapësirat publike”. Më 14 shkurt 2010, përmes një dalje publike në “TF1”, ai i hapi dritën jeshile debatit për “integrimin e fesë myslimane në Republikën laike”.
Presidenti francez ka shpërfillur edhe pasiguritë e ngurrimet që vijnë nga kampi politik ku ai militon, duke nisur nga (kryeministri) François Fillon, i cili i druhej një debati të tillë që “nënçmonte muslimanët”. Më 29 mars, Konferenca e personaliteteve përgjegjes për Kultet në Francë(ku janë të grupuar personat përgjegjës për budizmin, kishat e krishtera, Islamin dhe Judaizmin), u shpreh qortueshëm ndaj një debati që “mund të shkaktojë tollovi dhe që është paragjykues”, që “mbart rrezikun e damkosjes” (Teksti është publikuar në të përditshmen franceze “La Croix”). “Detyra e personave përgjegjës – shkruajnë firmëtarët e tekstit – qëndron te qartësimi i udhës që duhet ndjekur dhe përpunimi i zgjidhjeve të përshtashme në dobi të të gjitha palëve”. Të mos i shtojmë turbullira kësaj periudhe plot trazira që po kalojmë. Ne punojmë së bashku për një laicizëm të mençur”. Bëjmë thirrje për një laicizëm që të mos jetë i ndarë nga “dinjiteti dhe respekti i qenies njerëzore dhe lirisë së patjetërsueshme të saj”. Ia vlen barra qeranë t’i  kushtohet vëmendje. Ka ende kohë që presidenti francez Nicolas Sarkozy të heqë dorë nga mohimi i realitetit dhe të ndjekë udhën e maturisë, duke hequr dorë edhe nga një debat i tillë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›