Opozita mbetet e ngujuar në të kaluarën e ithtë të Traktatit të Varshavës
I gjithë vendi ka përkujtuar me ceremoni festive dy-vjetorin e anëtarësimit në aleancën më të madhe të vendeve të lira. Ceremonitë janë bojkotuar edhe këtë herë nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët ende ndihen të tërhequr nga Traktati i Varshavës
Shqipëria festoi dje 2-vjetorin e anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancën Politiko- Ushtarake të Lirisë, përmes eventeve jubilare në kryeqytetin shqiptar, por edhe në qytete të tjera në mbarë vendin. 2 prilli i 2010-s, është viti i dytë që e gjen Shqipërinë pjesë të strukturave të NATO-s. Shqipëria, shënoi dy vite më parë, zhvillimin më të madh diplomatik, përmes një kursi politik të shtjelluar dhe evident, për përmbushjen e një misioni mbarëkombëtar, të udhëhequr nga kryeministri i vendit Sali Berisha.
Anëtarësimi i këtij vendi ish-komunist në bllokun ushtarak më të fuqishëm në Botë bëri jehonë të madhe. Autoritetet shqiptare vlerësuan dje ditën historike për Shqipërinë, pas festës më të madhe kombëtare, atë të Pavarësisë. Dy vjet më pas, protagonistët e kësaj dite, presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha, folën për meritat dhe detyrat që i dalin Shqipërisë nga ky anëtarësim. Duke inspektuar trupat komando në Zallher, presidenti i Republikës, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, pranoi meritën e reformave të qeverisë. “Statusi aktual i Shqipërisë në NATO është pasojë e reformave të thella politike e ushtarake”, deklaroi Topi.
Pa dyshim kryeministri ishte në të njëjtën linjë, por foli edhe për mbështetjen e aleateve perëndimorë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara Amerikës. “Anëtarësimi në NATO ishte pa diskutim rezultat i mbështetjes së fuqishme të udhëheqësit të Aleancës dhe vendeve të tjera anëtare”, u shpreh kryeministri. Por nga anëtarësimi rrjedhin edhe detyrime. Presidenti përmendi detyrimin e forcave politike për të bërë një fushatë qytetare. “Të futemi në fushatën zyrtare me një sjellje qytetare, që t’i ngjajë politikës së vendeve evropiane, për t’i bërë ato zgjedhje në shërbim të qytetarit”, theksoi Topi.
Kryeministri nga ana tjetër u shpreh optimist se kjo gjë do të ndodhë.
“Shqiptarët kanë bërë dhe do bëjnë zgjedhje të standardeve të NATO-s dhe standardeve më të mira”, tha Berisha.
Por dje, asnjë prej përfaqësuesve të opozitës nuk doli në media të urojë 2 vjetorin e anëtarësimit në NATO, duke përsëritur kështu të njëjtin shembull si të një viti më parë. Po dje, Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, në vend të kumtonte përvjetorin e dytë të arritjes më të madhe historike të vendit, pas shpalljes së pavarësisë, shfrytëzoi qetësinë e ditës, për të kurdisur sulmet nga më të pazakonta ndaj shtetit dhe institucioneve qeveritare.