E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: “Ari Han 100 për qind i sigurt”“Ai është 100 për qind i sigurt në rolin e trajnerit dhe barazimi me Maltën nuk e ka rrezikuar aspak pozitën e tij në krye të kombëtares”, - tha Duka, i cili mesa duket e sheh pozitiv bilancin e deritanishëm

Bosi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, konfirmoi për mediat kosovare se nuk ka ndërmend t’i kërkojë dorëheqjen apo të shkarkojë trajnerin aktual të Kombëtares së Shqipërisë A, holandezin Ari Han, pas barazimit dëshpërues me Maltën (0-0) në transfertë.

Presidenti i FSHF-së ishte në Prishtinë me rastin e miqësores midis kampiones së Kosovës, Prishtina dhe asaj të Shqipërisë, Dinamo, të përfunduar 1-1 dhe i pyetur nga mediat kosovare konfirmoi vazhdimin e Hanit edhe për pesë ndeshjet e tjera të Kombëtares kuqezi, që përkon edhe me përfundimin zyrtar të kontratës së trajnerit të katërt të huaj gjatë epokës së tij presidenciale.

“Ai është 100 për qind i sigurt në rolin e trajnerit dhe barazimi me Maltën nuk e ka rrezikuar aspak pozitën e tij në krye të kombëtares”, - tha Duka, i cili mesa duket e sheh pozitiv bilancin e deritanishëm të Shqipërisë nën drejtimn e Ari Hanit, kur Kombëtarja ka grumbulluar gjashtë pikë në pesë ndeshje.

Presidenti Duka iu përgjigj edhe interesimit të medias kosovare, se kur e parashihte ai anëtarësimin e Kosovës në FIFA e UEFA. “Nuk jam unë ai që mund të vendos data, - theksoi Duka, - por sigurisht kam bindjen se kjo do të arrihet kur Kosova do të jetë anëtare e OKB-së. Gjithsesi ekzistojnë edhe disa mundësi tjera, pasi në statutin e FIFA-s nuk është e shkruar se një shtet duhet të jetë i pranuar në OKB, por të jetë i pranuar ndërkombëtarisht.Gjithsesi kjo varet edhe nga ecuria e njohjeve të Kosovës”.

E Marte, 17 Shkurt 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›