Duka: Askush nuk ka imunitet për përdorimin e dhunës
Presidenti i FSHF-së
Pas dhunës në derbin Tirana-Dinamo dhe episodeve të paprecedenta në takimin e së shtunës ndërmjet Flamurtarit dhe Besës, ku gjyqtari ka ndërruar tri herë vendimet pas presioneve nga drejtuesit vlonjatë, ka reaguar presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Numri 1 i futbollit shqiptar deklaroi: “Dhuna është dhunë dhe nga kushdo që bëhet është e dënueshme, është e shëmtuar, nuk na përket neve, nuk i përket komunitetit tonë. Ne të gjithë distancohemi nga kjo dhunë dhe do të marrim masa të rrepta për ta parandaluar. Asnjë nuk mund të ketë imunitet në përdorimin e dhunës, asgjë nuk e përligj shfaqjen e dhunës, qoftë një gabim i gjyqtarit apo i lojtarit”. Më tej Duka kërkoi “fair-play” nga të gjithë aktorët e lojës, ndërsa nuk ngurroi t’u kërkonte falje edhe tifozëve për skenat e shëmtuara që kanë parë në stadium. “Mbledhja urgjente e Ekzekutivit në FSHF? Nuk mendoj se është surprizë, ishte një takim i pritshëm pas ngjarjeve jo të zakonta që kanë ndodhur në javën e fundit të kampionatit. Pas shfaqjes së fenomeneve të dhunës në ‘Qemal Stafa’ dhe në Vlorë, organi më i lartë i federatës kuptohet që është i preokupuar dhe do ta analizojë këtë çështje, për ta parandaluar, në mënyrë që episode të tilla mos të ndodhin më. Duke qenë pjesë dhe lider i komunitetit të futbollit, në një lloj mënyrë në emër të të gjithë këtij komuniteti do t’u kërkoj falje tifozëve vlonjatë, në emër të futbollistëve të Kavajës, në emër të stafit të Flamurtarit, do t’u kërkoj falje tifozëve të Tiranës në emër të futbollistëve të ekipit të tyre. Do t’u kërkoj falje ndoshta edhe atyre futbollistëve të dëmtuar. Kam besim të plotë se ne të gjithë si komunitet do të gjejmë forca për t’u korrigjuar brenda vetes dhe për të rivendosur atë që kërkon loja më e bukur në botë: fair-play!”. Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv nëpërmjet një deklarate për shtyp theksoi: “U bëjmë thirrje të gjitha klubeve, anëtarëve të saj dhe faktorëve të tjerë, që ndikojnë në mbarëvajtjen e lojës, të mos nxisin dhunën, por të mbështesin dhe inkurajojnë futbollin e ndershëm”.
#