Trajneri Alban Tafaj një vit pezullim, tetë javë për Mukën
Disiplina tregohet e pamëshirshme me dy protagonistët negativë të dhunës në derbi
Komisioni i Disiplinës ka përdorur “grushtin e hekurt” kundër dhunës së shfaqur në derbin kryeqytetas ndërmjet Tiranës dhe Dinamos. Trajneri bardheblu, Alban Tafaj dhe kapiteni i 24-herë kampionëve, Devis Mukaj, dy protagonistët negativë të incidenteve në stadiumin “Qemal Stafa”, nën sytë e presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, janë bërë shembull për gjestet e tyre antisportive. Ende pa mbushur një sezon të plotë në krye të stolit të Tiranës, tekniku është pezulluar për një vit nga të gjitha aktivitetet futbollistike. Në sekondat e fundit të ndeshjes, pas debatit të ashpër ndërmjet Mukajt dhe Bakajt, Tafaj ka goditur me grusht këtë të fundit. Prova më e fortë e përdorur nga Disiplina ishin pamjet filmike, ku dukej qartë dhuna e ushtruar ndaj sulmuesit të Dinamos dhe Kombëtares shqiptare. Kjo do të bëjë që presidenti Refik Halili të kërkojë një tjetër trajner për ta emëruar në krye të skuadrës, pasi masa ndëshkimore duket e vështirë që të “zbutet” edhe nëse vendimi apelohet. Edhe Devis Mukaj nuk ia ka hedhur lehtë. Pas debatit të ashpër me Bakajn, që shkaktoi largimin e të dy futbollistëve nga fusha me karton të kuq, mesfushori bardheblu ka vazhduar konfrontimin fizik. Në momentin që kundërshtari po largohej nga fusha, vlonjati i është afruar duke e provokuar dhe më pas e ka goditur me kokë dhe i ka shkaktuar golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore një hematomë. Pikërisht ky ishte momenti që solli degjenerimin e supersfidës së javës së 18-të në një arenë lufte. Përveç përplasjeve mes futbollistëve dhe stafeve teknike të të dyja skuadrave, në fushë u futën edhe mjaft tifozë, që për fat të mirë nuk arritën t’u afroheshin lojtarëve. Mukaj është pezulluar me tetë javë dhe do të rikthehet në fushë vetëm në javën e 26-të, duke humbur më shumë se gjysmën e pjesës së dytë të kampionatit. Për incidentet e ndodhura në ndeshjen më të rëndësishme të fundjavës, Disiplina vendosi që të penalizonte edhe klubin bardheblu. Skuadra do të jetë e detyruar të luajë pa tifozë në katër ndeshjet e ardhshme në fushën e saj. Tirana është gjobitur gjithashtu me 300 mijë lekë të reja, për marrjen e masave të dobëta organizative, ndërsa penalizimit financiar nuk i ka shpëtuar as presidenti Halili. Për deklaratat në media, të cilat cenuan personalitetin e zyrtarëve të FSHF-së, numri 1 i klubit u gjobit me 50 mijë lekë të reja. Për gjeste fyese dhe provokuese ndaj kundërshtarit, me dy javë është pezulluar sulmuesi i Dinamos, Bekim Kuli.
Në mbledhjen e cila përfundoi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, KD vendosi të pezullonte me gjashtë muaj, drejtorin sportiv të Flamurtarit, Geri çipi, ndërsa skuadra vlonjate do të luajë dy ndeshje pa tifozë, për shkak të hyrjes në fushë të zyrtarëve të klubit, me në krye presidentin Shpëtim Gjika. Ndërkohë, kërkesa e Besës për marrjen e tri pikëve në tavolinë me Flamurtarin, do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme.
#