Duka-Hashani, përgatisin miqësoren Shqipëri-Kosovë

Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit me në krye presidentin Armando Duka zhvilluan sot një takim punë me përfaqësues të Frederatës së Futbollit të Kosovës. Takimi midis këtyre dy federatave u zhvillua në mjediset e FSHF-së dhe delegacioni kosovar ishte i përbërë nga katër përfaqësues që udhëhiqeshin nga presidenti Sabri Hashani. Synimi kryesor i këtij takimi dy palësh që zgjati më shumë se një orë kishte në qendër të tij ndihmën që do të japë FSHF-ja në anëtarësimin e homologes së saj në organizmat e futbollit europian dhe atij botëror sic janë UEFA dhe FIFA. Kjo ndihmë do të jepet sigurisht pas shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur gjë që pritet të ndodhë shumë shpejt. Gjithashtu në takimin e sotëm u diskutua edhe për marrëdhëniet dy palëshe, shkëmbimin e eksperiencës duke organizuar seminare dhe trajnime të ndryshme për trajnerët, organizmin e turneve miqësore për grupmoshat e ndryshme në të dyja vendet. Ndërkohë që nuk u la pa përmendur edhe zhvillimi i ndonjë miqësoreje të mundshme midis kombëtareve por një gjë e tillë edhe nëse ndodh, kuqezinjtë do të luajnë me ekipin B për shkak të datave të pakta të lira që ka lënë FIFA për ndeshje të këtij lloji.
Pas takimit, përfaqësuesit e FFK-së të shoqëruar nga presidenti Armando Duka vizituan ambjentet e FSHF-së duke fiksuar gjithcka në aparatet fotografikë. Pas kësaj shëtitjeje nëpër zyrat e "qeverisë" së futbollit shqiptar, të dy presidentët, si Armando Duka ashtu edhe Sabri Hashani dhanë një konferencë për shtyp duke shprehur ato që u diskutuan në takimin dypalësh. I pari foli kreu i FSHF-së Duka, i cili tha: "Ashtu sic e dini edhe ju sot Federatën Shqiptare të Futbollit e vizitoi një delegacion nga Federata e Futbollit të Kosovës me në krye presidentin Sabri Hashani. Synimi i këtij takimi që u zhvillua sot ishte vazhdimi i një marrëveshjeje të përbashkët që ekziston midis dy federatave dhe cuarja e saj sa më përpara. Kemi rënë dakord të dyja palët që të realizojmë të gjitha pikat e asaj marrëveshjeje që konsiston në shkëmbimin e eksperiencave për sa i përket trajnimit të trajnerëve, arbitrave dhe kurse kualifikimi që do të zhvillohen qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë.
Gjithashtu ramë dokord për zhvillimin e turneve të ndryshme me moshat në të dyja vendet ashtu edhe në vendet fqinje. Ne jemi në mbështetje të plotë dhe do të ndihmojmë me të gjitha mënyrat anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA që është edhe "ëndrra" e tyre që duan ta kthejnë në realitet. Gjithashtu ne do të kontribojmë duke ju kërkuar këtyre organizmave që të akordojnë me sa të kenë mundësi shuma financiare për zhvillimin e futbollit kosovar". Më pas foli për mediat edhe presidenti i FFK-së, Sabri Hashani, i cili u shpreh: "Në radhë të parë dua të përshëndes presidentin e FSHF-së Armando Duka dhe stafin e tij që gjetën momentin për të na pritur për të vazhduar marrëveshjen që e kemi nënshkruar në nëntor të 2003"