Duka: Kritikat e rivalëve, pjesë e programit tim
Menjëherë pasi është rizgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka premtuar bashkëpunim me të gjithë faktorët e futbollit, për të ndihmuar zhvillimin e sportit më popullor në vend. Madje, ai bëri të ditur se do të implementojë në programin e tij, të gjitha kritikat e bëra. “Futbolli shqiptar ka problemet e veta, por mendoj se nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithëve, do ta çojmë përpara në këto katër vitet e ardhshme”, tha ai pak çaste pas rezultatit të votimit në Asamble, ku regjistroi një tjetër fitore plebishtare, me 49 vota nga 65 të mundshme. “Bashkëpunim me rivalët në të ardhmen? Në fakt, bashkëpunimi im me ta ka filluar, duke qenë se ato që Vata dhe Halili i kanë konsideruar si vërejtje dhe kritika, unë do t’i kem pjesë të programit tim: do t’i implementoj të gjitha problemet që ata kanë ngritur. Idetë e tyre do t’i përdor për përmirësimin e lojës së futbollit”. Qëndrimi i dy kandidatëve për kreun e federatës ishte i ndryshëm. Rudi Vata ka pranuar humbjen, ndërsa Refik Halili vazhdoi të akuzonte për ndërhyrje të politikës në rezultatin përfundimtar. “Ashtu siç e kam theksuar edhe më parë, personalisht e vlerësoj kontributin e dy konkurrentëve që morën pjesë në garën për president. E vlerësoj qëndrimin e tyre, pavarësisht vërejtjeve që mund të kenë pasur gjatë procesit apo për mënyrën sesi kanë bërë fushatë, theksoi Duka. Vlerësoj shumë më tepër qëndrimin e z. Vata, por në të njëjtën kohë, mirëkuptoj edhe qëndrimin e z. Halili, sepse në një garë gjithsecili ka emocione dhe deklaratat në momente emocionale mund të mos jenë shumë të goditura”.
Një temë e rëndësishme e prekur gjatë Asamblesë ishte thirrja e zv/presidentit të FIFA-s dhe UEFA-s, Angel Maria Vijar, që stadiumi “Qemal Stafa” t’i kalojë FSHF-së. Këtë kërkesë, ai ia drejtoi ministrit të Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i cili ishte i pranishëm në procesin zgjedhor. Duka tha: “Për ne është e rëndësishme që të shtyjmë një proces, nëpërmjet të cilit Shqipëria do të bëhet me një stadium të ri. Federata nuk ka asnjë interes të veçantë, sepse të ndërtosh dhe menaxhosh një stadium është shumë e vështirë. Ne do të ishim të kënaqur qoftë nëse qeveria shqiptare do të vendosë ta realizojë atë, por edhe nëse ajo do të gjente një formë tjetër për të ndërtuar një impiant të ri”. Në fund, presidenti i federatës bëri edhe një premtim: “E falënderoj presidentin e Federatës Spanjolle, Vijar, që vlerësoi Shqipërinë, duke diskutuar problemet tona. Edhe më parë i kam kërkuar shpesh që të krijohet mundësia për zhvillimin e një miqësoreje ndërmjet Kombëtares sonë dhe asaj spanjolle: më ka premtuar se kjo do të realizohet në këto katër vite dhe besoj se ai do ta mbajë fjalën”.
#