E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF, Duka mbretëron sërish edhe për 4 vite

Një votim plebishitar (49 nga 65 në total) e konfirmon atë në mandatin e tretë radhazi si president

E kishin sulmuar ashpër për korrupsion e njëanshmëri, por ai është konfirmuar sërish i fortë si më parë. Bëhet fjalë për Armand Dukën, i cili është rizgjedhur për herë të tretë radhazi në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pra, starti i tij në krye të futbollit shqiptar, i nisur më 2002-shin, do të vijojë deri në vitin 2014. Gjatë Asamblesë Zgjedhore, të zhvilluar në një nga hotelet e njohura në plazhin e Durrësit, që zgjati për më shumë se katër orë, Duka ka marrë shumicën e votave. Të 65 anëtarët e Asamblesë Zgjedhore të futbollit shqiptar kanë votuar të gjithë, duke i dhënë presidentit aktual, Armand Duka, 49 vota, ndërsa 15 vota i ka marrë kandidati tjetër, Refik Halili. Vetëm një votë ka marrë Rudi Vata. Sikurse duket, një votim plebishitar i asamblesë ka shkuar në favor të Dukës, i cili ka marrë mandatin e tretë në krye të futbollit shqiptar. Një rezultat i pritshëm, fitorja e Dukës, por ndoshta jo me një rezultat kaq të thellë. Megjithatë votimi duket se ka rikonfirmuar besimin e komunitetit të futbollit të presidentit të tetë viteve të kaluara, që përgatitet të rinisë punën në krye të qeverisë të futbollit në vend edhe për katër vitet e ardhshme. Duka mund të konsiderohet një fitues i madh. Në vitin 2002 u prezantua si një njeri i biznesit, por i lidhur fort pas sportit. Ai ia ka dalë të fitojë edhe dy herë të tjera direkt në Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare. Në vitin 2002, ai mposhti kandidaturën e një njeriu të njohur të sportit, Mehdi Bushati. Ndërsa në vitin 2006 ai rivalizoi me dy kandidatë: menaxherin Edmond Haxhiaj dhe ish-anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Salvador Kaçaj. Edhe në atë Asamble, triumfi i Dukës ishte plebishitar: ka fituar 51 nga 68 votat e mundshme; 16 vota Haxhiaj dhe vetëm 1 Kaçaj. Pas rizgjedhjes, presidenti Duka ka falënderuar votuesit për votëbesimin që i kanë dhënë, ndërkohë që ka përgëzuar edhe rivalët për garën, duke i garantuar se do t’i ketë parasysh vërejtjet e tyre në mandatin e radhës. Asambleja Zgjedhore kaloi në qetësi të plotë, për të mos thënë: model në krahasim me zgjedhjet paraardhëse, ku nuk munguan tensionet deri në konfrontime fizike. Pas votimit për presidentin, u mbajt edhe votimi për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Konkretisht për 9 vende, nga 11 që janë gjithsej, sepse në mënyrë automatike, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe presidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve, Tahir Kastrati, janë pjesë e KE-së. Në bazë të votave, janë rikonfirmuar anëtarët e vjetër Bujar Kasmi e Lutfi Nuri (dy zv.presidentët), Skënder Hyka, Muhedin Targaj dhe Arben Dervishi. Ndër hyrjet e reja janë katër: Pjerin Fushaj, Artan Hajdari, Alfred Zijai e Abdyl Kuriu.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›