Vijar, thirrje shtetit: Stadiumin jepjani FSHF-së
Presidenti i Federatës Spanjolle (RFEF), Angel Maria Vijar, njëkohësisht zv/president i UEFA-s dhe FIFA-s, konfirmoi gatishmërinë e dy institucioneve që drejtojnë futbollin kontinental dhe botëror, për rikonstruktimin e “Qemal Stafës”. Sipas tij, objektivi është shndërrimi i këtij stadiumi në një impiant modern. “Në momentin e parë që shteti shqiptar do të japë ‘OK’ për t’ia kaluar stadiumin kombëtar Federatës Shqiptare të Futbollit, atëherë do të lirohen edhe fondet e nevojshme për rikonstruktimin dhe ndërtimin e një impianti me standarde ndërkombëtare, të denjë për të luajtur edhe një finale të Champions League”, deklaroi 60-vjeçari, i cili qëndron në krye të RFEF-së prej vitit 1988 (22 vjet). “Jam njohur me faktin se Ministria e Sporteve synon të ndryshojë mënyrën e menaxhimit të ‘Qemal Stafës’. Personalisht mendoj dhe besoj se zgjidhja më e mirë do të ishte që stadiumi t’i jepej me koncesion FSHF-së. Mund t’i siguroj të gjithë të pranishmit në Asamble se FIFA dhe UEFA do ta mbështesin financiarisht projektin e federatës për rikonstruktimin e impiantit. Këto dy institucione kanë aprovuar çdo projekt të paraqitur deri më tani për zhvillimin e futbollit në vendin tuaj”. Më tej, Vijar nuk harroi të vlerësonte kontributin e kreut të MTKRS-së, Ferdinand Xhaferri për përmirësimin e marrëdhënieve me FSHF-në, por edhe mënyrën sesi u zhvillua Asambleja Zgjedhore. “Dëshiroj të përshëndes ministrin Xhefarri, i cili ka qenë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me federatën. Presidenti i FIFA-s dhe ai i UEFA-s e vlerësojnë kontributin e tij, deklaroi ai. Vlerësoj maksimalisht edhe mënyrën sesi u realizuan zgjedhjet, ky është vërtet një model për t’u marrë shembull. Përgëzoj Duken për fitoren brilante, por edhe rivalët e tij për qytetarinë dhe ndershmërinë që treguan. Realisht jam i habitur nga i gjithë ky proces zgjedhor, keni bërë hapa të mëdhenj përpara: FIFA dhe UEFA e vlerësojnë këtë. Unë jam një mik i Shqipërisë dhe i tillë do të mbetem. I uroj suksese presidentit dhe anëtarëve të rinj të FSHF-së”.
#