Duka, Mediu dhe Malaj homazhe për Fatos Nanon: Respekt për kontributin e tij. Figurë e mendimit dhe tolerancës

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilluan sot homazhe në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke shprehur respekt dhe kujtime personale për jetën dhe veprën e tij.
“Jemi njohur që në 2000 bashkë dhe ruaj kujtime të mrekullueshme. Nano vdiq kur i vdiq pjesa më e mirë e tij, truri”, tha Duka.
Ndërsa Fatmir Mediu e përshkroi Nanon si një figurë të mendimit dhe tolerancës.
“Si një njeri i mendimit dhe tolerancës, një kundërshtar me të cilin edhe kur debatoje duhet të mendoje thellë. Ai kishte kontribute në jetën politike të vendit. Asnjë nuk ishte perfekt, por Nano kishte tolerancën që pak politikanë shqiptarë e kanë”, tha Mediu.
Ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, theksoi se qeverisja e tij kishte në fokus paqen dhe tolerancën, virtyte që i shfaqi në 1997
“Ishte mendjahapur, ishte liberal dhe u fokusua tek paqja sociale. Gjithë qeverisja e tij ishte e fokusuar në këtë drejtim, që të gjendeshin hapësira për të harruar ’97 dhe për të ndërtuar paqe, duke lënë hapësira përfaqësimi edhe për opozitën. Është model i veçantë, të shpresojmë që do respektohet dhe të shërbejë si inspirim”, tha Malaj.
Homazhet po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, ku arkëmorti i Nanos është vendosur për qytetarët dhe figurat publike që duan t’i japin lamtumirën e fundit.
/rtsh.al/