E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: Nuk ka faj arbitri, goli i dytë qe i turpshëm

TIRANE-Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka evituar akuzat ndaj gjyqtarit të ndeshjes miqësore në Gjeorgji, moldavin Sidenko. Duke folur pas humbjes 2-1 në Tbilisi, Duka ka akuzuar sidomos lojtarët, të cilët u treguan të pavëmendshëm në pësimin e golit të dytë, që erdhi pas 4 gjuajtjesh rresht në zonë të futbollistëve gjeorgjianë. "Nuk dua të fajësoj arbitrin për atë që ndodhi, nuk ka vend për polemika në këtë rast, - deklaroi Duka. - Më duket jo fort e pranueshme, që futbollistët tanë rrinë të hutuar në zonë dhe shohin kundërshtarin kur godet katër herë rresht dhe shënon", shtoi ai. Duka më pas foli edhe për misionin e Shqipërisë në Botërorin e vitit 2014, duke u shprehur se me lojën e treguar në Tbilisi, nuk mund të shkohet shumë larg. "Nëse flasim për kualifikim, është e qartë që skuadra duhet të japë më shumë se 80 % të saj, - tha presidenti i FSHF-së. - Gjithsesi, miqësoren në Tbilisi mund ta vlerësojmë si pozitive, ndërsa pashë që edhe stafi punoi me seriozitet". Më tej, Duka konfirmoi edhe miqësoren me Spanjën, më 30 maj në Zvicër. "Ka ende disa detaje për të përfunduar, megjithatë do të luajmë në Zyrih në fund të muajit maj", deklaroi ai.
De Biazi
Ndërsa Duka u përpoq të mos polemizonte me arbitrin moldav Sidenko për humbjen 2-1 me Gjeorgjinë, trajneri Xhani De Biazi është i mendimit se gjyqtari ndikoi shumë me vendimet e tij. Gjithsesi, edhe ai pranoi se në rastin e golit të dytë, mbrojtja duhet të ishte treguar më e kujdesshme. "Penalltia e parë ishte, por e dyta jo. Madje s'dua t'u hyj diskutimeve, sepse goli i dytë i tyre ishte jashtë loje, - tha De Biazi. - Unë vazhdoj të jem i mendimit se gjyqtari pati pjesën e tij edhe pse ne patëm dobësitë tona. Mendoj se mund të kishim bërë më mirë, pasi për ne ishte një ndeshje me dy fytyra. Pas pjesës së parë, Shqipëria zbriti në fushë me një ngërç nga ana psikologjike. Pashë që futbollistët po ndjeheshin inferiorë në fushën e lojës dhe nuk arritën të mbanin ndeshjen nën kontroll", deklaroi ai. Sipas italianit, nëse një skuadër kërkon të fitojë, duhet të tregojë një tjetër karakter në fushën e lojës. "Duhet të jemi më të guximshëm, futbollistët duhet të përmirësojnë karakterin nëse dëshirojnë që të fitojnë. Nuk mund të lejosh, që pasi portieri ka pritur penalltinë, lojtarët kundërshtarë të godasin katër herë portën. Gjithsesi, unë them që ky ishte një hap i parë i mirë për të shkuar larg", tha De Biazi. Në lidhje me miqësoren me Spanjën, në fund të muajit maj, ai u shpreh i kënaqur, duke thënë se nga një ndeshje e tillë, lojtarët shqiptarë vetëm mund të mësojnë. "Nuk ka vend për panik. Luajmë ndaj kampionëve të botës, por në një ndeshje të tillë nuk kemi çfarë të humbasim, përveçse të mësojmë", deklaroi tekniku i kombëtares.

(d.b/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›