Funerali i Dalla-s, mbase më 4 Mars, në ditën e lindjes
Miq dhe bashkëpunëtorë të një ndër këngëtarëve më të famshëm në botë dhe më i famshmi ndër italianë kanë bërë të gjitha ritet e përgjimit mbrëmjen e së premtes në Lozanë të Zvicrës në nder të artistit të ndjerë, trupi i të cilit tanimë ka mbërritur në tokën e tij, në Itali.
Homazhet do të mbahen në Bolonja dhe për gjithçka është kujdesur bashkia e këtij qyteti por ende nuk dihet nëse ceremonia e lamtumirës për ikonën e muzikës do të jetë publike apo private. Nga ana tjetër, ndonëse është një informacion ende jo zyrtar, mendohet se ceremonia funebre për të përcjellë këngëtarin italian, do të mbahet këtë të diel, pikërisht më 4 mars kur artisti do të mbushte 69 vjeç.
Ndërsa prej kohës kur u mësua lajmmi se kantautori italian, Lucio Dalla ndërroi jetë pas një ataku kardiak ndërsa ndodhej në turne, kanë qenë të shumtë artistët të cilët kanë shprehur publikisht ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit i cili është konsideruar i pazëvendësueshëm.
Përpos ngushëllimeve nga këngëtarë dhe shkrimtarë, politika nuk ka ngurruar të përulet përpara kantautorit bolonjez, ndonëse raporti i tij me politikën dhe politikanët ka qenë përherë ironik.
Dalla pat thënë dikur i pyetur se çmendonte për ceremonitë shtetërore që zakonisht mbahen për personazhet e famshëm: Politikanë në funeralin tim? Kjo është një arsye e mirë për të mos vdekur.
Ndërkaq, duket se e gjithë Italia është në zi, dhe në çdo kanal televiziv italian nuk mungojnë homazhet në nder të këngëtarit, duke transmetuar në çdo orë të ditës hitet e tij dhe shfaqjet e fundit në skenë, duke bërë në këtë mënyrë një rrugëtim në karrierën e tij.
Ndërsa miqtë e tij të shumtë, personazhe të famshëm të Italisë dhe të gjithë botës kanë përdorur të gjitha hapësirat për ti bërë homazh një artisti të jashtëzakonshëm. Ndërsa në rrjetet sociale, prej shuarjes së kantautorit italian Lucio Dalla, mbizotërojnë statuset për të, në nder të tij, ndërsa këngët padyshim janë më të dëgjuarat e momentit.
Shkrime të tjera me interes:
- Ndërron jetë kantautori Luco Dalla, pas një infarkti në zemër Vdes në moshën 69-vjeçare kantautori italian Lucio Dalla pas një...
- Zgjedhjet presidenciale në Kosovë, mbase në vjeshtën e 2012-ës Kosovë – Zgjedhjet presidenciale, ku populli do ta zgjidhte direkt...
- Falimentimi i “Malev”, biletat do të rimbursohen me 3 mars Falimentimi i kompanisë ajrore hungareze Malev ka anulluar fluturimet e...