Duka: Objektivat i përcaktojmë me trajnerin Kuzhe pas shortit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka deklaruar se objektivat e Kombëtares në Euro 2012 do të përcaktohen pas shortit që do të hidhet në Varshavë më 7 shkurt 2010. Drejtuesi më i lartë i futbollit në vend, theksoi se llogaritë së bashku me trajnerin Josip Kuzhe do të mund të bëhen vetëm pasi të mësohen emrat e kundërshtarëve për eliminatoret e aktivitetit që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. "Nuk mund të përcaktohen objektiva pa mësuar më parë se cilët do të jenë kundërshtarët tanë në grup. Pas shortit eliminator do të takohemi me trajnerin Kuzhe dhe vetëm pasi të kemi mësuar emrat e skuadrave me të cilat do të luajmë mund të përcaktojmë objektivat", tha Duka, që në këtë mënyrë konfirmoi qëndrimin e kroatit në përfaqësuese, edhe pse kontrata ende nuk është rinovuar zyrtarisht. Pas vendit të pestë në Grupin 1 të Botërorit 2010, Shqipëria është në vazon 5, së bashku me Armeninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Islandën, Kazakistanin, Liehtenshtejnin, Moldavinë dhe Malin e Zi. Kjo bën që kuqezinjtë të kenë katër kundërshtarë më të fortë në eliminatore. Duka ka folur edhe për çështjen e stadiumit, duke i parashtruar tri opsione qeverisë shqiptare. FIFA e gjobiti FSHF-në me afro 10 mijë euro (15 mijë franga zvicerane) për mungesën e ujit të ngrohtë në dushe në ndeshjen me Danimarkën. "Fatkeqësisht, ne këtë stadium kemi, këto janë kushtet. Por, i kemi kërkuar FIFA-s dhe Danimarkës që të na mirëkuptojnë", shtoi Duka. "Nuk është vetëm çështja e ujit, por kjo është një temë më serioze, që lidhet me funksionimin e një stadiumi në mënyrë moderne. I kemi propozuar qeverisë tri opsione: ta rinkonstruktojë ose rindërtojë vetë stadiumin, të dyja palët të investojmë 50 me 50, ose të na e japin me koncesion, që gjithçka të bëhet nga federata".
e. k.
e. k.