Duka: Stadiumi? Vendim historik për Shqipërinë
Presidenti i FSHF-së ka falënderuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Berisha si dhe deklaron se në shtator “Qemal Stafa” i vjetër do të shembet. Megjithatë, kreu i FSHF-së nuk është optimist që punimet do të mbarojnë brenda vitit 2012
Natyrisht që pritej, por tani është edhe e vulosur. Shqiptarët do të kenë më në fund stadiumin e ëndërruar. Menjëherë pas fjalës së kryeministrit Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ka ardhur reagimi nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka përshëndetur vendimin në fjalë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë vendim si hapin e parë në rrugën e infrastrukturës europiane të futbollit shqiptar. “Vendimin e sotëm të qeverisë për krijimin e një shoqërie aksionere, e cila do ndërtojë stadiumin ‘Qemal Stafa’ me paketë kontrolluese nga Federata Shqiptare e Futbollit, ne e konsiderojmë një vendim historik për futbollin shqiptar. Ky vendim i hap rrugën infrastrukturës europiane të futbollit shqiptar, pasi, siç dihet, në Shqipëri ka munguar një stadium që të plotësojë kriteret e vëna nga institucionet ndërkombëtare për pjesëmarrjen në aktivitetet europiane dhe ky vendim i sotëm (djeshëm) i hap rrugën ndërtimit të këtij impianti. Vendimi i Këshillit të Ministrave konsiston në ndërtimin e një shoqërie aksionere me FSHF-në, që ka 75% të aksioneve dhe qeveria shqiptare 25%, të cilat do të ndërtojnë stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Stadiumi do të ndërtohet në bazë të një projekt-ideje të cilën ne e kemi bërë prezent për median dhe publikun shqiptar. Do të ketë një kapacitet prej 33 mijë vendesh, do të jetë një stadium-elitë, ku mund të zhvillohet çdo lloj aktiviteti ndërkombëtar. Pra, unë jam këtu sot (dje) për ta përshëndetur këtë vendim të qeverisë dhe që Këshilli i Ministrave i ka dhënë futbollit shqiptar dhe spektatorëve shqiptarë për të krijuar bashkërisht një mundësi dhe një ambient siç i takon futbollit dhe spektatorëve për ndjekjen e ekipit kombëtar dhe skuadrave të kryeqytetit,” ka thënë në fillim të fjalës së tij Armando Duka.
Më pas, presidenti Duka ka përshkruar edhe periudhën fillestare të punimeve të stadiumit, që kanë të bëjnë me realizimin e projektit final si dhe me procedurat e tenderimit, çka do të shpenzojnë një periudhë kohore prej gati 8-9 muajsh. “Realisht, duke qenë një iniciativë e Federatës Shqiptare të Futbollit, deri më tani kemi bërë vetëm një projekt-ide dhe në momentin që Vendimi i Këshillit të Ministrave të zbardhet, mund të vazhdojë puna për projektin e detajuar dhe për vendimet e mëpasme. Por si fillim do të duhet një kohë prej 6 muajsh për përfundimin e projektit, pastaj është tenderimi, që do të thotë se do të duhen rreth 8-9 muaj që të fillojnë punimet.” Por presidenti Duka nuk beson se stadiumi do të jetë gati më 28 nëntor 2012. “Stadiumi ka disa procedura teknikisht të detyruara për t’u respektuar, sikundër periudha e projektimit apo tenderimit, ndaj nuk jam optimist që stadiumi do të përfundojë në kohë, por le të themi që do të jetë në një formë drejt përfundimit. Ku do të luajë kombëtarja gjatë kësaj periudhe? Ne e kemi ndeshjen e fundit në shtator, ndaj do ta luajmë këtë ndeshje dhe pastaj do të fillojë shembja e stadiumit.” Por sa do të kushtojë ky stadium? Presidenti Duka tregon qartazi se i gjithë projekti, deri në përfundimin total të tij, do të harxhojë 60 milionë euro, 10 prej të cilave janë financime nga UEFA. “FSHF i përfiton fondet nga financimet e UEFA-s, stadiumi do të ketë një vlerë afërsisht, projekti i detajuar e jep vlerën finale, por projekti test na jep vlerën e 60 milionë eurove, nga të cilat ka një premtim për financim nga UEFA dhe qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër do të gjehet nga burime të tjera financiare, por ajo që ne kemi të sigurt janë 10 milionë euro financime nga UEFA,” ka përfunduar njëshi i qeverisë shqiptare të futbollit, Armand Duka.