E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i ditës: Një libër jo për rënien e Amerikës, por për ngritjen e të gjithë të tjerëve

Titulli: Bota pas-amerikane

Fuqia po zhvendoset nga Perëndimi drejt pjesëve të tjera të botës. Zhvillimi i vendeve të tilla si India, Kina, Brazili, Rusia, Afrika e Jugut po krijon një panoramë të re në skenën botërore

Autori: Fareed Zakaria

Gazetar indiano-amerikan, i konsideruar sot si një nga analistët më me ndikim të politikës së jashtme. Pas një karriere të gjatë si drejtor i revistës së njohur ‘Newsweek, së fundi Zakaria hoqi dorë nga kjo punë, për t’iu kushtuar drejtimit të një emisioni në CNN, duke shkruar njëkohësisht rregullisht dhe për ‘Time Magazine’ dhe ‘Washington Post’

Përktheu: Maklen Misha

Shtëpia Botuese: IDK

Ky s’është një libër për rënien e Amerikës, por një libër për ngritjen e të gjithë të tjerëve. Është një libër për shndërrimin e madh që po ndodh anembanë botës, një transformim për të cilin ndonëse diskutohet shpesh, vazhdon të mos kuptohet ende mirë. Dhe kjo është e natyrshme. Ndryshimet, madje edhe ndryshimet e mëdha, ndodhin gradualisht. Pra, ndonëse flasim për një epokë të re, bota vazhdon të na duket njëlloj siç e kemi njohur. Por në fakt, ajo është shumë e ndryshme. Gjatë pesëqind viteve të fundit ka pasur tri zhvendosje tektonike të fuqisë, ndryshime themelore në shpërndarjen e pushtetit që e kanë rimodeluar skenën ndërkombëtare, në planin politik, ekonomik dhe kulturor. E para qe ngritja e Perëndimit, një proces që filloi në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe që pati një përshpejtim dramatik aty rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Ky proces prodhoi epokën moderne, ashtu siç e njohim atë sot: shkencën dhe teknologjinë, tregtinë dhe kapitalizmin, revolucionin bujqësor dhe atë industrial. Ai hodhi, po ashtu, bazat e predominimit të gjatë politik të kombeve të Perëndimit. Zhvendosja e dytë, që ndodhi gjatë viteve të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, qe ngritja e Shteteve të Bashkuara. Pak kohë pas industrializimit të tyre, Shtetet e Bashkuara u bënë kombi më i fuqishëm që kish ekzistuar që nga koha e Romës perandorake dhe i vetmi komb që qe më i fortë se çdo aleancë e mundshme mes kombeve të tjerë. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dominuar ekonominë, politikën, shkencën dhe kulturën globale. Gjatë njëzet viteve të fundit, ky dominim s’kishte rivalë, një dukuri kjo e paprecedent në historinë moderne. Ne po jetojmë tani zhvendosjen e tretë të madhe të fuqisë së erës moderne. Ajo mund të quhet “ngritja e të tjerëve.” Gjatë dekadave të fundit shumë vende anembanë botës kanë shënuar një nivel rritjeje ekonomike që dikur do dukej e papërfytyrueshme. Ndonëse me ulje e ngritje, prirja e përgjithshme ka qenë padyshim në rritje. Kjo rritje ka qenë më e dukshme në Azi, por tashmë s’kufizohet më vetëm në Azi. Kjo është arsyeja pse, ta quash këtë ndryshim si “ngritja e Azisë”, s’do ishte një mënyrë korrekte për ta përshkruar. Gjatë viteve 2006 dhe 2007, qenë 124 vendet që patën një rritje prej 4 ose më shumë për qind. Mes tyre përfshihen më se 30 vende afrikane, pra dy të tretat e këtij kontinenti. Antoine van Agtmael, menaxheri i fondeve që krijoi termin “emerging markets” [tregje në zhvillim], ka identifikuar 25 kompanitë që ka më shumë të ngjarë të bëhen shumëkombëshet e mëdha të botës në të ardhmen. Në këtë listë përfshihen nga katër kompani për Brazilin, Meksikën, Korenë e Jugut dhe Tajvanin; tri nga India; dy nga Kina; dhe nga një për Argjentinën, Kilin, Malajzinë dhe Afrikën e Jugut. Shikoni përreth. Ndërtesa më e lartë në botë tani ndodhet në Taipei, por së shpejti ajo do të lihet pas nga një ndërtesë që po ngrihet në Dubai. Njeriu më i pasur në botë është një meksikan, ndërsa korporata më e madhe, aksionet e së cilës tregtohen në bursë, është kineze. Aeroplani më i madh në botë ndërtohet në Rusi dhe Ukrainë, rafineria më e madhe po ndërtohet në Indi, kurse fabrikat më të mëdha ndodhen të gjitha në Kinë. Sipas shumë kriteresh vlerësimi, Londra është duke u bërë qendra kryesore financiare e botës, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë vendi i fondit të investimeve më fitimprurës. Ato që dikur përbënin disa prej ikonave të Amerikës, tashmë janë përvetësuar nga të huajt. Karuzeli më i madh në botë ndodhet në Singapor. Kazinoja numër 1 në botë s’ndodhet më në Las Vegas, por në Makao, i cili ia ka kaluar Las Vegasit edhe kur vjen puna te të ardhurat vjetore nga kumari. Industria më e madhe kinematografike, qoftë për sa i përket filmave të prodhuar, qoftë për sa i përket biletave të shitura, nuk është Hollywood-i, por Bollywood-i. Edhe shopping, aktiviteti më i madh sportiv i Amerikës, është bërë global. Prej dhjetë qendrave më të mëdha tregtare në botë, vetëm njëra gjendet në Shtetet e Bashkuara; më e madhja në botë ndodhet në Pekin...

Kjo do të thotë që po shkojmë drejt një bote post-amerikane, drejt një bote të përcaktuar dhe të drejtuar nga shumë vende e shumë popuj. Çfarë lloj mundësish e sfidash përfaqësojnë këto ndryshime? Çfarë paralajmërojnë ato për Shtetet e Bashkuara dhe pozicionin e tyre dominues? ǒpamje do të ketë kjo epokë për sa i përket luftës dhe paqes, ekonomisë dhe biznesit, ideve dhe kulturës? Me pak fjalë, ç’do të thotë të jetosh në një botë post-amerikane?

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›