E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: Urgjent, trajneri i ri

/* */

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në daljen e tij të parë mediatike, pas vendosjes së prishjes me konsesus të marrëveshjes dhe mosrinovimit të kontratës me ish-trajnerin Josip Kuzhe, tha se është koha për “një trajner të ri dhe energji të re për Kombëtaren”. “Tani jemi të lirë të kontaktojmë kandidaturat. Do t’i studiojmë me ato kujdes për të përzgjedhur sa më shpejt trajnerin”, - tha ai në prononcimin e tij.

Zoti President, trajneri Josip Kuzhe deklaroi se bashkëpunimi midis tij dhe Federatës mori fund. Cili është komenti juaj?

Po, kemi ndërprerë marrëdhëniet me trajnerin Josip Kuzhe. Kjo do të thotë se nuk do të rinovojmë kontratën me të për të ardhmen. Tani do të jemi në kërkim të një trajneri të ri për ekipin Kombëtar për edicionin e ardhshëm.

Cilat ishin arsyet?

Të dyja palët disktuan, se do të ishte më mirë për Kombëtaren shqiptare vendosja e një trajneri të ri, një energjie të re për të përgatitur edicionin e ardhshëm. Gjëja e parë që mund të ndryshojmë për të pasur këto energji të reja është trajneri.

Kur flisni për të ardhmen, besojmë se keni piketuar tashmë disa emra. Janë shqiptarë apo të huaj?

Realisht, për të qenë etik, nuk kishte sesi të diskutonim për emra të tjerë pa mbyllur një marrëveshjen me trajnerin aktual, me të cilin kishim dhe kontratë aktuale dhe kishim bashkëpunuar gati prej tre vjetësh. Nga dita e sotme jemi të lirë të kontaktojmë kandidaturat. Mund edhe të kenë ardhur në rrugë formale apo informale. Do t’i studiojmë me ato kujdes për të përzgjedhur sa më shpejt trajnerin, me qëllim që në dy ndeshjet miqësore të nëntorit (kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë) t’i shërbejnë përgatitjeve për edicionin e ardhshëm.

Një nga kandidaturat më fort të përmendura është Besnik Hasi, madje përflitet për një takim midis jush në fundjavë.

Realisht, nuk e di se kush do të vijë. Nuk kam fiksuar me asnjë deri tani ndonjë takim.

Dëshira juaj është për një trajner shqiptar, apo të huaj?

T’i japim një trajner sa më të mirë bankinës shqiptare. Ta ndihmojë sa më shumë skuadrën për arritjen e objektivave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›