E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka bën publike votën për Platininë. Johanson nuk erdhi ne Shqiperi

Mishel Platini, legjenda e futbollit francez dhe atij botëror, është zgjedhur presidenti i ri i UEFA-s. Francezi 51-vjecar arriti të fitojë 27 vota nga votimet e 52 përfaqësuesëve të federatave europiane, anëtarë të UEFA-s, gjatë punimeve të Kongresit të 31 të Zakonshëm të organizmit të futbollit europian që u zhvillua në qytetin gjerman të Duseledorfit. Ish-presidenti Lenart Johanson siguroi 23 vota, ndërkohë që dy vota ishin të pavlefshme. Platini, menjëherë pas zgjedhjes së tij si president, propozoi që Johanson, i cili drejtoi për 17 vjet organizmin më të lartë të futbollit europian, të jetë president nderi.Për detyrën e re të saponisur, legjendën e futbollit francez e përshëndetën drejtuesi i FIFA-s, Josef Blater dhe shumë presidentë të federatave të futbollit duke i uruar atij punë të mbarë në drejtim të futbollit europian. Nga Federata Shqiptare e Futbollit, votoi presidenti i institucionit të futbollit, Armando Duka. Nga burime të sigurta pranë kreut të futbollit shqiptar mësohet se vota e Dukës ka shkuar në favor të kampionit francez Mishel Platini. Zgjedhjen e këtij të fundit në krye të "qeverisë" së futbollit europian e ka përshëndetur edhe presidenti i FSHF-së, i cili ka deklaruar se Platini është një mik i Shqipërisë. "Legjenda e futbollit francez është një mik i vendit tonë. Kam besim se Platini do ta ndihmojë shumë futbollin shqiptar. I uroj atij punë të mbarë në këtë detyrë të re" ka deklaruar Duka. Strategjia e shpalosur nga Platini gjatë fushatës elektorale, i cili ka deklaruar se do të mbështesë shumë vendet e vogla dhe me futboll jo shumë të zhvilluar mësohet ta kenë shtyrë Dukën dhe vendet e tjera të vogla drejt votës për kampionin e Francës. Gjithashtu edhe mediat europiane dhe sidomos ajo italiane gjatë komenteve të tyre kanë nxjerrë si përfundim faktin që Platini ka arritur të fitojë falë votave që ka marrë nga vendet e vogla për vetë strategjinë që ka paraqitur në përkrahje të këtyre vendeve. Platini ka deklaruar se ka si synim bashkimin e Ligës së Kampioneve dhe Kupës UEFA në një kometicion të vetëm dhe kjo i jep mundësi vendeve jo shumë të zhvilluara që skuadrat e tyre të dalin më shumë në Europë. Kjo vlen edhe për Shqipërinë dhe skuadrat shqiptare dhe pikërisht për këtë fakt mësohet se vota e Dukës ka shkuar në favor të kampionit francez. Ndërkohë që Platini zhvilloi një fushatë të përgatitur zgjedhore dhe vizitoi të gjitha vendet anëtare të UEFA-s duke mos anashkaluar federatat e vogla. Platini erdhi edhe në vendin tonë më 8 nëntor 2006, për të përuruar një fushë minifutbolli në shkollën "Hasan Vogli" në kryeqytet. "Kam ardhur për fushatë elektorale dhe kjo dihet. Duka është një miku im. Sigurisht nuk i kërkoj atij votën me forcë, sepse ka të drejtë të votojë për kë të dojë, por në momentin qe ai do të hedhë fletën në kuti, duhet të kujtohet se emri im është Platini", tha në atë kohë tri herë fituesi i "Topit të Artë", Mishel Platini. Ky i fundit ka ardhur katër herë në Shqipëri. Gjithashtu Platini ka ardhur si trajner pasi ishte në krye të përfaqësueses së Francës dhe luajti kundër Shqipërisë, dy herë, kur humbëm 5-0 në Paris, dhe 0-1 në Tiranë, në eliminatoret e Kampionatit Europian 1992, më 17 nëntor 1990. Ndërsa, ish-presidenti Johanson duhet thënë se nuk zhvilloi ndonjë fushatë të madhe elektorale. Pas ardhjes së Platinisë në Tiranë, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit deklaruan se në vendin tonë do të vinte edhe suedezi Johanson, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›