E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stil i Baric: Kuqezinjtë, shëtitje dhe shoping në Antalia

Pas një jave stërvitje intensive dhe dy miqësore të zhvilluara, kuqezinjtë janë lënë dje pushim nga trajneri i kombëtares, Oto Baric. Kroati megjithëse nuk i ka nxjerrë futbollistët në fushën e blertë stërvitore e ka shfrytëzuar një pjesë të ditës për të zhvilluar me ekipin disa seanca teorike dhe një analizë të thellë për barazimin 0-0 në ndeshjen e dytë miqësore kundër skuadrës gjermane të Dyseldorfit. Baric e ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj skuadrës menjëherë pas ndeshjes dhe mësohet se edhe në analizën e djshme, kroati i ka kritikuar shumë lojtarët për lojën pa nerv dhe shpejtësi që zhvilloi skuadra ditën e enjte."Ne duhet të jemi të lumtur, që nuk kemi humbur. Fortuna luajti shumë shpejt. Ne nga Shqipëria nuk jemi mësuar me ketë ritëm" deklaroi menjëherë pas ndeshjes kryepankina kuqezi. Ndërkohë, që pjesën tjetër të ditës lojtarët janë lënë të lirë nga kroati dhe e kanë shfrytëzuar në maksimum këtë mundësi për të shëtitur në rrugët e qytetit turk. Lojtarët janë ndarë në grupe, ku disa kanë vizituar pikat kulturure të Antalias disa të tjerë kanë preferuar të frekuentojnë lokalet, ndërkohë që disa të tjerë kanë bërë edhe shoping. Gjatë shëtitjeve nëpër rrugët e Antalias, futbollistët janë përshëndetur herë pas here nga emigrantë të shumtë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në qytetin turk, ku këta ju kanë kërkuar autografe dhe nuk kanë munguar as shkrepjet e aparateve fotografikë. Sot kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e tretë dhe të fundit miqësore gjatë qëndrimit në Antalia, teksa përballë do të kenë Tiranën, e cila ka që prej dhjetë ditësh që zhvillon fazën përgatitore të dimrit në qytetin turk. Kombëtarja do të përfundojë zborin të hënën dhe më pas skuadra do të përgatitet për ndeshjen e 7 shkurtit kundër Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›