Duka, “diktaturë absolute” në FSHF

Nga Bledar Kuka
Armand Duka është bërë edhe më shumë zot në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), me ndryshimet e bëra në statut. Presidenti, tepër i fuqishëm edhe para ditës së djeshme, e shtoi sundimin e tij në institucion, pas mbledhjes mbi 6-orëshe të Komitetit Ekzekutiv (KE). Pas një votimi me diferencë të thellë, KE i hoqi vetes të drejtën për të emëruar zyrtarët e administratës, duke ia lënë tërësisht në dorë Sekretarit të Përgjithshëm. Meqë Sekretari (sot postin e ka Roland Mici), emërohet direkt nga presidenti, votimi i djeshëm mund të quhet, me plot të drejtë, një fitore e Dukës mbi KE-në.
Debatet kanë qenë të fuqishme, duke u kërkuar edhe që KE të emëronte, të paktën, shefat e Sektorëve, por "komitetasit" kanë dashur t'i bëjnë Dukës një dhuratë të plotë dhe jo përgjysmë. Sidooftë, deri në mbledhjen e Asamblesë së Zakonshme Vjetore (që do bëhet shumë shpejt), këto vendime të Komitetit quhen vetëm projekt-ndryshime në statut. Presidenti kishte në dorë të tij, që më parë, emërimin e trajnerëve të ekipeve kombëtare, ndërsa i ka edhe më shumë frerët në duart e tij. Për FSHF-në ekziston edhe një pengesë për t'u kapërcyer, madje para mbledhjes së Asamblesë: ndryshimet në statut duhen miratuar edhe nga shteti shqiptar (MTKRS) dhe UEFA.
Mbledhja, që përfundoi në orën 18.45, vendosi edhe që në statutin e ri të FSHF-së të ketë një paragraf më të zgjeruar lidhur me racizmin nëpër stadiume, një kërkesë "taksative" e UEFA-s. KE fitoi disa pikë me një ndryshim tjetër statuti. Kështu, anëtarët e tij nuk kanë nevojë për pragun e 50% të votave, që të fitojnë mandatin, por mjafton një numër cfarëdo votash për të plotësuar 9-en e anëtareve të zgjedhur.
Po ashtu, Komiteti vendosi që sot të diskutohet me zv.trajnerin e kombëtares, Slavko Kovacic për vendluajtjen e ndeshjes eliminatore të Euro 2008-ës, Shqipëri-Luksemburg më 2 qershor. Kovacic do të vëzhgojë, personalisht, kushtet e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta", që është kandidatura e parë për të pritur këtë ndeshje. Pasi Kovacic të thotë fjalën e tij, KE do të marrë vendim përfundimtar.
Besnik Cela, tani shef policie: Kam pasaportë ruse
Ish-shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Besnik Cela tani do të jetë shef (inspektor) policie. Nuk bëhet fjalë për policinë e shtetit shqiptar apo për polici private, por për një njësi të Federatës, që do merret me sigurimin në stadiume. Ka qenë UEFA që e ka shpëtuar "Becin", duke e kërkuar me ngulm krijimin e kësaj policie. Por pjesa më interesante e mbledhjes së KE-së ka qenë "gjyqi publik" që iu bë dy ish-zyrtarëve të pezulluar nga Sekretari i Përgjithshëm, Mici. Presidenti Duka foli ashpër ndaj Celës dhe Xhekos, duke i akuzuar për shkelje administrative. "Ti, - i ka thënë Duka, Celës, - ke bashkëpunuar me Xhekon për të marrë pasaportë diplomatike dhe nuk më ke vënë në dijeni. Keni një muaj e gjysmë që e keni bërë këtë shkelje". Cela u mbrojt, dukë thënë se nuk ka qenë në dijeni të kësaj ndodhie. "Unë nuk kam nevojë për pasaportë diplomatike, - mësohet të jetë shprehur ai, - sepse kam pasaportë ruse".