Lorik Cana, kundër trajnerit që e rriti te PSG

ASA (Albania Sport Agency)- Kapiteni interim i Olimpikut të Marsejës, shqiptari Lorik Cana do të përjetojë një aromë të vecantë kur ekipi ti tij do të përballet në transfertë me Valensien. Dhe kjo ka të bëjë në fakt me trajnerin e kundërshtarëve të ditës së shtunë, Antoine Koumbuare, një ish-lojtar i Paris Sën Zhërmenit dhe trajneri i parë i Lorik Canës në qendrën e formimit të PSG.
"Është me të vërtete një person të cilin unë e vlerësoj, ai ka një zemër të madhe", - deklaroi Cana për radion "RMC Info". "Ai është i vlerësuar nga shumë njerez. Është gjithmonë një kënaqësi kur e takoj".
Loriku e di që përballë këtij trajneri Olimpiku nuk do ta ketë të lehtë: "Është një garues shumë i mirë, ai ka dëshirë gjithmonë të fitojë", shton mesfushori shqiptar.
Nga ana e tij, Antuane Kombuare ka stërvitur katër nga lojtarët aktualë të Olimpikut: Lorik Canën, në Qendrën e Formimit të PSG-së, Habib Beye, Mamadou Niang e Mikael Pazhis te Strasburgu"
"Jam shumë krenar për atë që kanë bërë në karrierën e tyre respektive". Përsa i përket ndeshjes së të shtunës, Kombuare shton: "Do të jet një ndeshje e madhe. Olimpiku luan për Ligën e Kampioneve, ndërsa ne për të marrë pikë në luftën për mbijetesë".