Shkarkim i papritur i Edmond Mihës nga bankina “kuq e zi”

ASA (Albania Sport Agency)-Tetovë, Edmond Miha që nga e enjtja nuk është më në bankinën e Shkëndijës. Sipas drejtorit të klubit tetovar, Qatip Osmani arsyeja kryesore për largimin e trajnerit kuqezi janë vështirësitë financiare që kanë kapluar Shkëndijën. "Duke pasur parasysh vështirësitë financiare në të cilat gjendet skuadra vendosëm ta shkarkojmë trajnerin Miha, pra kjo është arsye e vetme që kemi marrë këtë hap. Në ora 15:00
në klub do të mbajmë mbledhje, ku do të diskutojmë për ngjarjet e fundit. I jemi paraqitur kryetrajnerit të deritanishëm Edmond Miha, ku iu jemi falënderuar për punën që ka bërë në skuadër dhe për rezultatet e arritura. I kemi dëshiruar sukses në karrierën e tij të mëtutjeshme", tha Osmani.
Ndërkohë trajneri Miha nuk ka dashur të komentoj shkarkimin e tij nga stafi teknik i kuqezinjve. "Nuk kam asnjë koment. Është qesharake. I uroj Shkëndijës të gjitha të mirat. Pacin fat", u shpreh ai, duke shtuar se angazhimi i tij i ardhshëm mund të jetë vetëm kombëtarja e Shqipërisë ose ndonjë skuadër jashtë vendit.
Shkarkimi i Mihës vjen në një shumë të vështirë për skuadrën tetovare, e cila është duke luftuar për t'i ikur ndeshjeve suplementare. "Ne edhe pa Mihën do të vazhdojmë luftën tonë për të siguruar ekzistencën në elitën e futbollit të vendit", u shpreh më tutje Osmani.
Ndryshe, Shkëndijën deri në fund të kampionatit do ta udhëheqë ndihmëstrajneri Ibrahim Luma, ndërsa në ndeshjen ndaj Rabotnicki Kometall (në Shkup) do të jetë e hendikepuar pa sulmuesin Mensur Idrizi, i cili nga komisari disiplinor është ndëshkuar me dy ndeshje moslojë.
Vullnet Dauti