E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: “Nuk na kushton gjë të ëndërrojmë Brazilin

/* */

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dukej “shend e verë” në konferencën për shtyp, tamam në rolin e “babagjyshit të Krishtlindjeve”. Arsyeja është e thjeshtë. Fiks pas 60 ditësh, pas prishjes së kontratës me kroatin Josip Kuzhe (20 tetor 2011), po i jep Shqipërisë, trajnerin e ri të saj, të huajin e gjashtë në krye të Kombëtares në “epokën e tij”, italianin Xhani De Biazi. Një ritual që e kreu me Xhuzepe Dosenën në qershor të vitit 2002, e pasoi me Hans-Peter Brigelin në dhjetor të vitit 2002, me Bariçin në korrik 2006, me Ari Hanin në janar 2009, por jo me Josip Kuzhenë në maj të vitit 2010, pavarësisht se me këtë të fundit zhvilloi një konferencë për shtyp, kur ai ishtë në fazë të avancuar të bisedimeve.
 
KONTRATA
“Mirëdita të gjithëve. Tashmë, ju e dini se ne kemi zgjedhur Xhani De Biazin si trajnerin e ri. E kemi njoftuar me deklaratë zyrtare (në faqen online të FSHF-së) emërimin e zotit De Biazi (Di Biazi, thotë Duka) në krye të Kombëtares A, për eliminatoret e Botërorit të vitit 2014”, - tha Duka, duke shtuar se media e ka dhenë me hollësi jetën futbollistike të trajnerit De Biazi. “Është arritur një akord mes nesh (FSHF-së) dhe zotit De Biazi për një kontratë punë dyvjeçare, me opsion rinovimi në rast të rezultateve pozitive dhe mirëkuptimit të dyanshëm të palëve”. Xhani De Biazi firmosi një kontratë, që e lidh me Kombëtaren shqiptare deri në vitin 2013, duke përfituar një shumë prej 300 mijë eurosh.

OBJEKTIVAT
Në lidhje me objektivat e Kombëtares së drejtuar nga Xhani De Biazi për edicionin “Brazil 2014”, Duka tha: “Siç tha edhe trajneri, por edhe në krahasim nga edicionet e mëparshme, ne jemi në një fazë të rinovimit të ekipit. Kemi pasur disa futbollistë, të cilët kanë kontribuar goxha në ekipin tonë, dhe që tani nuk do të vazhdojnë më. Gjej rastin edhe t’i falënderoj sot, si si Altin Lala, Ervin Skela, apo ndonjë tjetër, që me të vërtetë kanë dhënë shumë. Tani detyra e parë është që këto vende të zëvendësohen nga futbollistë të rinj, e që mund të kontribuojnë shumë në arritjen e rezultateve. Kombëtarja nuk është klub, që të presë sa ti të rinovosh dhe më pas të përfshihesh në të. Pararelisht duhet të arrish dhe rezultate. Duke pasur parasysh edhe grupin që kemi, ky është me të vërtetë një grup shumë, shumë i vështirë. Një grup, në të cilin mund të ndodhin të gjitha, me çdo lloj kundërshtari. Çdo kundërshtar mund ta thyesh, dhe po të të thyejnë. Ndoshta, duke pasur parasysh historinë tonë, më mirë do të ishte të kishim ndonjë ekip me emër, pasi ekipi ynë luan më mirë kundër ekipeve me emër, sesa kundër të vegjëlve. Kundërshtarët tanë janë vende, me popullsi pak a shumë të vogël, me futboll jo të niveleve shumë të larta, por që gjithsesi mund të arrijmë rezultate. Për ne do të ishte më mirë që, të vazhdojmë të ëndërrojmë se do të jemi pretedentë për t’u kualifikuar për në finalet e Botërorit, megjithëse është një detyrë e vështirë. Nuk përmendet si objektiv vazoja e 4-t? Ne realisht në shortin e Botërorit ishim në vazon e 4-t. Nga vazoja e 5-të dhe e 6-të patëm Qipron dhe Islandën si kundërshtarë”.
 
LOJTARËT
Përsa i përket qëndrimit në Shqipëri të trajnerit De Biazi, përsa i përket vëzhgimit dhe ndjekjes së kampionatit shqiptar, Duka shpjegoi: “Çdo trajner e ka pasur për detyrë të seleksionojë më të mirët e mundshëm për ekipin Kombëtar. T’i stërvitë sa më mirë dhe t’i motivojë sa më shumë, për arritjen e rezultatit. Detyra e Federatës është t’i krijojë kushte sa më të mira për të realizuar detyrat e tij. Në kontratën tonë është vendosur se, trajneri do të ketë një shtëpi në Tiranë, që t’i bëjë të mundur të vëzhgojë të gjithë kampionatin shqiptar, organizimin e futbollit tonë dhe të futbollistët. Por, siç dihet ne kemi më shumë se 60 për qind e lojtarëve të ekipit Kombëtar jashtë Shqipërisë, dhe atij (De Biazit) do t’i duhet të jetë për një kohë jashtë vendit tonë. Unë nuk do ta ndaja punën me receta, por të japë maksimalen për ta ndihmuar ekipin”.

STADIUMI I RI
E pranishme në prezantimit të De Biazit, ishte dhe gazetarja njohur sportive e Italia Uno, Irma D’Alesandro. Italiani i kërkoi Presidentit Duka edhe një konfirmim në lidhje me ndërtimin e stadiumit të ri Kombëtar brenda vitit 2012. Duka: “Është projekt i Federatës Shqiptare të Futbollit, me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për të ndërtuar një stadium të ri kombëtar, projekt i cili nuk mund të përfundojë në vitin 2012, pasi është e pamundur që një stadium, i cili nuk ka filluar të përfundojë brenda vitit 2012. Është një projekt që, ne e kemi marrë shumë seriozisht, por që nuk varet vetëm nga ne. Në momentin, që aktorët e tjerë që janë në këtë proces do t’i realizojnë detyrat e tyre, unë besoj se brenda këtij viti, 2012, ne do ta fillojmë ndërtimin e stadiumit”. Në lidhje me sforcimin e kostos financiare, që bën Federata për të arritur objektivat, duke marrë një trajner të huaj, çdo ekip, çdo federatë do të kryejë ato që ka mundësi për të arritur rezultate, apo përmirësuar sadopak futbollin e vet. Duhet të bëjmë mirë, ato gjëra që dikush ndoshta i quan të vogla, dhe gjërat e mëdha, siç është emërimi i trajnerit. Ne bejmë maksimalen tonë për të arritur rezultate, gjë të cilën jemi munduar ta bëjmë dhe në të kaluarën. Dhe me trajnerë, që s’i kemi pasur të këqij”.
 
 + + +
Incidenti i Pogradecit
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, reagoi edhe për dhunën në Pogradec ndaj gjyqtarit Enea Jorgji, dhe deklaratat e Kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, njëherësh edhe presidenti i klubit liqenor, Artan Shkëmbi. Duka: “Ishte një ngjarje vërtet e shëmtuar në Pogradec. Të gjitha klubet janë të barabartë për Federatën Shqiptare të Futbollit. Pogradeci, ndoshta ka qenë një klub për vetë marrëdhëniet korrekte, një klub pozitiv, duhet të jemi realistë për këtë. Futbolli është një lojë dhe ne duhet ta shohim kështu atë. Është një lojë me rregulla mbi 100-vjeçare dhe do të jetë i përjetshëm dhe rregullat e lojës nu do të ndryshojnë. Vendimi i gjyqtarit është i padiskutueshëm dhe i pa apelueshëm. Asgjë nuk i justifikon veprimet, apo vetëgjyqësitë e njërëzve, qofshin këta tifozë, drejtues apo lojtarë. Kjo nuk të jep asnjë të drejtë, qoftë atij që thotë, se ai bërë atë dhe unë bëra këtë. Vendimet e gjyqtarit janë të padiskutueshme, dhe të apelueshme. Mund të kujtoj edhe një detaj, se Pogradeci ka dy vjet që nuk humbet asnjë ndeshje në shtëpi, ka dy vjet që nuk thotë se këtu nuk ka Federatë, nuk ka arbitra. Madje dy vjet dhe 68 minuta, arbitrat ishin shumë të mirë, nuk kishin marrë lekë dhe s’ishin të korruptuar. Pas 68 minutash, që Pogradeci pësoi gol, atëherë arbitrat ishin të korruptuar dhe marrin lekë. Nuk mund të hedhim baltë mbi gjithkënd. Futbolli luhet edhe me arbitra, edhe me futbollistë. Futbolli ka nevojë edhe për ne të gjithë këtu, për të gjithë ata që e ndjekin, që e luajnë. Futbolli ka nevojë për të gjithë, dhe asnjëri nuk ka nevojë të bëjë vetëgjyqësi. Të gjithë duhet ta shohim si një lojë, më të dashurën në botë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›