E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani De Biazi: Ja Shqipëria ime (2)

/* */

(Pjesa e dyte e konferences per shtyp)

Mister, një koment për ekipet e grupit tonë në eliminatoret e Botërorit dhe sa larg mund të shkojë Shqipëria?
Grupi është, sigurisht, shumë impenjativ, nëse mund të flisnim me këto terma. Kemi kundërshtarë Zvicrën, që është e 17-ta në renditjen e FIFA-s, dhe që është skuadra për t’u mundur. (“Që është dhe gjysmëshqiptare”, ndërhyn Duka). Më pas janë, Norvegjia, që është në vendin e 25-të, Sllovenia e 26-ta dhe kemi pas, Islandën (e 104-ta) dhe Qipron (e 127-ta). Është një grup, që është vështira ta thuash. Gjithmonë, kur hidhet kalendari thuhet një pyetje ‘Si është kalendari?’. Varet sesi do të mbërrijmë ne, kur të luhen ndeshjet. Pas 72 ditësh ne do të luajmë një ndeshje miqësore, me Gjeorgjinë. Do të punojmë të arrijmë objektivat e kësaj ndeshjeje. Do të shikojmë se me çfarë grupi lojtarësh do të arrijmë që ta luajmë atë ndeshje.
A është kjo kohë e mjaftueshme, për të thënë se kjo është Shqipëria ime?
Koha nuk është kurrë e mjaftueshme. Gjithmonë na duhet më shumë. Qysh tani, po punoj për atë miqësore. Por, më përpara ka pasur mundësi për një stazh përpara miqësoreve, edhe pse nuk mund të jetë datë e lirë nga FIFA. Por, unë do ta bëj me lojtarët shqiptarë, për të kuptuar dhe realitetin e këtushëm, për të bërë të mundur të kuptojnë, se për të gjithë rruga është e hapur. Nuk ka rrugë të mbyllura, por të hapura për të gjithë. Për të kuptuar se kush jep maksimumin, kush është serioz, dua të marrë përshtypje nga të gjithë. Një lojtar që luan në Kombëtare, duhet ta kuptojë se ky është maksimumi në jetën e tij. Edhe për një lojtar, që luan jashtë, duhet ta konsiderojë si një krenari, se mund të japë më shumë për Kombëtaren, sesa për klubin e tij.

Tre nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares luajnë në Itali: Lorik Cana te Lacio, Erjon Bogdani te Çezena dhe Samir Ujkani te Ujkani. A do të jetë kjo një bazë e mirë për punën tuaj me Kombëtaren?
Sigurisht, që njoh më shumë lojtarë shqiptarë që luajnë në Itali. Atë që njoh më shumë është Erjon Bogdani. Kam pasur fatin të luaj kundër tij vitet e kaluar. E njoh Canën, pasi e kam parë dhe komentuar së fundi me Lacion, kur kam komentuar ndeshje për Mediaset. E njoh Ujkanin. Por, është thelbësore të njoh edhe kush i menaxhon këta lojtarë. Njoh personalisht Edi Rejën (trajnerin e Lacios), Teser (trajnerin e Novarës), Arrigonin (trajnerin e Çezenën). Ne trajnerët, nuk bisedojmë midis nesh për gjepura. Nëse njëri është i zoti, është i zoti. Kush është serioz, është serioz. Nuk është se i fshehim. Duhet të kuptojmë sa më shpejt, sesi janë bërë, çfarë karakteri kanë. Dikush nga këta trajnerë më ka telefonuar, për të më shpjeguar lojtarët e tyre. Për të kuptuar lojtarët që luajnë në Itali, nuk përbën ndonjë problem. Për të tjerët, është stafi im, jam vetë, që do të shkojmë t’i ndjekim atje ku luajnë. Duam t’i prekim me dorë, për të kuptuar realitetin. Realiteti i treguar është një gjë, i parë, është ndryshe.
A merrni më shumë para si trajner i Shqipërisë, nga ajo që merrni si komentator i Mediasetit?
Jo. Dua të jem i qartë, për mua kjo nuk është kalim kohe, por një sfidë e vërtetë. E rëndësishme. Kam ardhur këtu me shumë qetësi, për të bërë gjëra të mira.
Trajnerët italianë janë të shquar për lojë difensive, pasi mendojnë më shumë për mbrojtjen, sesa për sulmin?
Po, ko është e vërtetë. Bravo. Kur shkova në Spanjë, më pyetën të njëjtën gjë. ‘Katenaço, katenaço’. Por, unë mendoja dhe veproja ndryshe. Të luaja më afër linjë së parë. Ndonjëherë, reputacion të paraprin. Pastaj është personi që bën diferencën.

Urim në shqip
Xhani De Biazi, si një “diplomat” i vërtetë, e di fare mirë se ka një mënyrë të shpejtë për të hyrë në zemrat e shqiptarëve. Ti urojë atë në shqip. E ka bërë më parë edhe ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, në qershor të vitit 2007, dhe një urim në shqip, e ka të përvitshëm edhe Papa, me rastin e Krishtlindjeve dhe Pashkëve. “Gëzuar Vitin e Ri!. Këtë nuk e tha Duka, por e shqiptoi De Biazi. Me një të qeshur, që nuk i mungoi në fytyrë! “Edhe Krishtlindjen!”, - tha dikush nga sallë. “Patjetër, që po! Vjen e para nga festat”.
 
 
Staf italian
Ashtu si dhe paraardhësit e tij, Dosena, Brigel, Baric, Han dhe Kuzhe, edhe trajneri De Biazi do të ketë ndihmësit e tij italianë, madje tre të tillë. “Do të kem një trajner të dytë, i cili quhet Anxhelo Perreni, i cili ka punuar së bashku me Çezare Prandelin, disa vite më parë. Është një person me rëndësi të madhe. Do të më ndihmojë për një lloj tjetër pune, në rritjen e trajnerëve të tjerë. Një tjetër ndihmës teknik, quhet Paolo Tramexani, një ish-lojtar i Interit. Preparator fizik dhe i të dëmtuar është Alberto Belle, i cili ka punuar në Serinë B, në Itali”, - tha De Biazi.
 
 
 
De Biazi: “Dosena, e braktisi anijen, unë kurrë”
 
 
 
Nuk mund të shmangej kurrsesi as ish-trajneri italian, Xhuzepe Dosena, i cili e braktisi kombëtaren tonë, pas vetëm katër muajsh (korrik-tetor 2002). “Personat janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Nuk i di motivet, që sollën largimin e trajnerit italian që e kishit zgjedhur të braktiste anijen. Ishte një zgjedhje personale. Çdo njeri është i ndryshëm nga tjetri. Unë jam një individ, të cilin preferoj ta njihni më parë. Fjala për mua, nëse e kuptoni, vlen më shumë se ajo që shkruhet. E vërtetë President?!”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›