Krahu i Fatmir Sejdiut sërish kundërshton Isa Mustafën

Të rinjtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që janë identifikuar si krahu i ish-presidentit, Fatmir Sejdiu, sërish janë aktivizuar duke kundërshtuar kështu edhe një herë udhëheqjen e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafës.
Në një komunikatë për shtyp të dërguar medieve në emër të Forumit Rinor të LDK-së, është kërkuar edhe një herë nga Fatmir Sejdiut që të marrë një rol aktiv në këtë parti.
Aktivistët e strukturave të FRLDK-së, si është shkruar në këtë komunikatë, kanë kundërshtuar heshtjen e Mustafës karshi skandaleve në qeveri dhe ndaj bisedimeve me Serbinë.
“Temat kryesore që u diskutuan në takimin e mbrëmshëm të aktivistëve të strukturave të degëve të FRLDK-së ishin: pasivizimi dhe margjinalizimi i LDK-së në skenën politike të Kosovës, përjashtimi i qindra aktivistëve nga strukturat e LDK-së, e në veçanti përjashtimi i katër gjeneratave nga FRLDK, pas përmbylljes së procesit zgjedhor ne FR të LDK-së, me vendimin për uljen e moshës, shkatërrimi i degëve të rëndësishme të LDK-së dhe krijimi i degëve paralele”, thuhet në këtë komunikatë për shtyp.
“Pastaj rezultatet e dobëta zgjedhore në të gjitha zgjedhjet ku ka garuar LDK qysh prej marrjes së kryesimit të saj nga Isa Mustafa, përjashtimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, gjuha ofenduese dhe denigruese ndaj aktivistëve të LDK-së që shprehin kritikat e tyre për gjendjen aktuale në LDK, luhatja e raporteve me miqtë tradicionalë të Kosovës dhe LDK-së në veçanti me SHBA-në dhe BE, mungesa e qëndrimit të qartë opozitar duke dhënë përshtypjen se LDK është në shërbim të politikave të gabueshme të Qeverisë Thaçi”.
Në takimin e aktivistëve të strukturave të degëve të FRLDK-së, sipas kësaj komunikate, gjithashtu u theksua se është e papranueshme edhe heshtja ndaj skandaleve të vazhdueshme të qeverisë, qëndrimet jo-konsekuente sa i përket procesit të bisedimeve me Serbinë, sjellja e LDK-së në një pozicion të palakmueshëm politik pas refuzimit që i bënë partitë tjera idesë ad-hoc të padiskutuar dhe të pastudiuar mirë për gjoja krijimin e bllokut të djathtë./Indeksonline/