E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke iu afruar Brukselit

28 prilli 2009 shënoi kthimin e Shqipërisë në Shtëpinë e Vet - Europë, nga emigrimi i saj i gjatë nëpër perandoritë lindore

Harresa, për mirë a për keq, bën çudira. “Shqipëria është në planet tjetër”, duket si e pathënë ndonjëherë. Por, ai përcaktim i dikurshëm perëndimor për Shqipërinë diktatoriale komuniste, qe pohuar në mënyrë mizore nga vet kreu i fundit i sistemit, formuluar me mendësi hermafrodite: “Shqipëria nuk është as Lindje e as Perëndim”. Pikërisht nga kjo, rrugëtimi demokratik i saj përbën udhëtimin më të ndërlikuar ndër gjithë vendet e tjera, sepse asaj iu desh fillimisht të “zbriste në Tokë”. Më pas, të përcaktohej, për ku? E, tevona, të shtegtonte gjatë “nëpër shkretëtirën e vet”, për t’iu afruar Brukselit.
Trokitja e parë, në portën e Bashkimit Europian, nuk mund të quhet ajo - entuziaztja, e 28 prillit, në Pragë, kur kryeministri Berisha, dosjen me simbole kombëtare brenda të cilës ishte kërkesa dhe rezoluta e Kuvendit, ia dorëzoi kryeministrit çek Topolanek, edhe para kamerave, për aplikim të Shqipërisë për kandidate të BE-së. “Trokitja jonë në Europë” ka qenë e mëhershme dhe dëshpëruar. Ajo daton me kapërcimin e mureve të ambasadave perëndimore, në Tiranë, kacavjerrjen dramatike nëpër litarët e vaporëve, të mijëra shqiptarëve, nga dhe na quajtën “boat people” (popull varkash). Prej atëherë e deri  në paraqitjen e kërkesës bëhen 20 vjet. Përpjekjet e Shqipërisë mbetën titanike, me një 1997 të tmerrshme ndërkallur midis - qëllimisht për të peguar e vonuar dhe, sigurisht, pengoi e vonoi. Zëra të ndryshëm politikë kundër aplikimit para zgjedhjeve, sulmi i opozitës se ky ishte kalkulim zgjedhor, shkurajimi duke i mëshuar mosshqyrtimit brenda qershorit, krijimi i mendimit se ky hap ishte i njëanshëm dhe, në hallet e veta Brukseli nuk na e ka ngenë, janë deklarime për të vonuar, të shqiptuara me këmbëngulje nëpër foltore, ekrane e faqe gazetash. 1 prilli 2009, për Shqipërinë është Dita e NATO-s dhe, Aleanca e
Atlantikut të Veriut hyri në historinë, politikën dhe sigurinë e saj, si diçka e jashtëzakonshme. Por, 28 prilli 2009 shënoi kthimin e Shqipërisë në Shtëpinë e Vet - Europë, nga emigrimi i gjatë nëpër perandoritë lindore. Kjo ishte diçka aq e shumëpritur sa që zhurmimit, pse aplikimi u krye pikërisht tani, le t’i lihet përsipër mëkati më i lehtë, ai i tundimit nga ethet e pushtetit para zgjedhjeve dhe i pamundësisë për të rrokur domethënien përcaktuese që ka ngjarja për kombin.
Ai veprim i qeverisë nuk ishte elektoral. Kryeministri Berisha bëri kujdes të veçantë për ta sqaruar këtë. Ai nuk heshti, por foli me zë të qartë për rolin e njohur të opozitës, duke e cilësuar këtë hap një arritje të përbashkët. Ka një argument të patundshëm të mospasjes së qëllimit elektoral. Që të dy arritjet e mëdha, të përmbyllura në muajin historik - prill 2009,  anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për në BE,  menjëherë u shndërruan në peshë përgjegjësie të paimagjinueshme mbi pozitën dhe qeverisjen e saj, për të organizuar e kryer zgjedhje të lira e të ndershme dhe pranimin e verdiktit të popullit. Nuk se ranë kushtet mbi qeverisjen, por ishte qeveria që priu drejtë sfidës së zgjedhjeve duke i marrë në sy të gjitha kushtet që burojnë nga statusi i ri i Shqipërisë. Pa një 28 qershor 2009 dinjitoz, i cili të futet në të njëjtën valë me 1 e 28 prillin 2009, mandati qeverisës do të dëmtohej. Kjo nuk do të thotë ambicie për pushtet, por përgjegjësi e pushtetit për t’u dhënë shqiptarëve, çka ata meritojnë brenda këtij mandati. Nëse qeveria nuk do të kishte dorëzuar kërkesën në fund të mandatit të saj (diçka e pamundur të kryhej më herët), opozita do të kishte plotësisht të drejtë t’u drejtohej shqiptarëve me kritikë për mosarritjen e një nga çështjet më madhore.
Dhe, opozita i kishte të gatshme argumentet:
Të thosh që, qeveria numëron arritjet dhe NATO-n, po pse këto nuk çuan në dorëzimin e kërkesës? Por qeveria e hodhi hapin e duhur, në mënyrën e duhur, në fund të mandatit. Që 28 prilli u ndërthur me 28 qershori, kjo nuk mund të qortohet, sepse historia nuk mund të ndalet. Veç kësaj, koha e dorëzimit të kërkesës nuk u kthye në qëllim, ajo rrodhi në mënyrë mëse logjike, vetëm pasi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ishte ratifikuar nga të gjitha vendet e BE-se, shpejtë  dhe pa kurrfarë problemi, si dhe hyrja e saj në fuqi më 1 prill. 28 prilli - dita e aplikimit ishte më afër dhe e lidhur me 1 prillin, dhe më larg 28 qershorit zgjedhor.
Opozita të thërriste dhe krahasimin: Maqedonia u pranua kandidate mu në mes të konfliktit, që prej disa vite më parë. Kjo, përveç politike, gjithandej u gjykua e shpejtuar. Po Shqipëria, me ecje të kënaqshme dhe në paqë, pse të vonohej edhe më, pas Maqedonisë? Qeveria qe mjaft e vëmendshme gjatë mandatit të vet, që kërkesa të dorëzohej patjetër - dhe u dorëzua. Mali i Zi ishte i përfshirë në luftën më të keqe në Ballkan, u pavarësua de jure dramatikisht dhe guxoi të paraqiste kërkesën në fund të vitit 2008, para Shqipërisë. Po, ky aplikim qe i nxituar, megjithse në Shqipëri pati shtjellime pozitive për të, duke e mburrur si veprim kurajoz. Kurse, Tirana e kreu detyrën në kohën e duhur, e përmbushi dorëzimin e kërkesës brenda mandatit. Ajo, asnjëherë nuk ka thënë se, kërkesa do të shqyrtohet e vendimi merret para zgjedhjeve.
Këtij hapi të shumëkërkuar, karakterin zgjedhor ia dha vet e majta, duke akuzuar për një proces të saponisur. Po të jetë se kjo ngjarje e përgjithshme ka ndikim mbi zgjedhjet, atëherë opozita duhet të shprehej drejtpërdrejt edhe kundër hyrjes në NATO, sepse Shqipëria është tashmë në NATO, dhe kjo, përveç që përbën një proces të përmbyllur, ka ndodhur, poashtu, afër zgjedhjeve. Tejet e ndjeshme, deri në thellësi të qelizës së shoqërisë shqiptare, të familjes dhe individit, është heqja e vizave, e cila ka ndikim mbi zgjdhjet, por kjo nuk ndodh para 28 qershorit.
Çfarë përfaqësojnë zërat kritikues, në rrugëtim e sipër të Shqipërisë për në Bruksel? Janë, përgjithësisht, ata që udhëtojnë rregullisht e pa kurrfarë zori nëpër kryeqytetet e Bashkimit Europian. Janë ata që kanë viza afatgjatë shengen e kur u mbarojnë i marrin përsëri, poashtu, po aq lehtë. Janë ata që kanë të ardhura të mjaftueshme edhe për  turizmin shengen. Janë, gjithashtu, ata që marrin shërbime të kohëpaskohshme me shpenzime të paguara. Por, këtyre u mungon vetëm një gjë: pushteti. Për të ardhur në pushtet, kritikojnë rreptë paraqitjen e kërkesës për statusin e kandidatit për në BE, diçka madhështore e Shqipërisë, që do t’u krijojë mundësinë shqiptarëve, të bëhet e tyre, e drejta natyrore dhe historike - Europa.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›