Kur asistet i vijnë Ramës nga një njeri i mësuar me autogola...
Sikurse të mos mjaftonte të ishte njëherë e një kohë një sulmues që vetëdeklamohej si i rrezikshëm i skuadrës së PD-së – e që së fundmi dezertoi për dy lek - sezonin e fundit lojtari tepelenas i ekipit “Tema” është blerë dhe ka veshur fanellën kundërshtare me numër dhjetë, duke u bërë kështu më në fund fantazisti kryesor i skuadrës së PS-së. Shpjegoj. Në editorialin e pardjeshëm “Maksimumi i Berishës para fushatës”, ku bënte një dallim banal midis opozitës publike dhe asaj politike, por në vetvete ky shkrim kishte qëllimin tjetër më të nëndheshëm se akuza ndaj personit e kryeministrit Berisha. Ky narcizizëm i theksuar hakmarrës pasqyrohet tejet në assist-et (pasim i shkurtër, në gjuhën e futbollit anglez) që i lëshon drejt portës kundërshtare. Në PS ka shumë fantazistë të vjetër e të denjë për këso punësh, por që nuk luajnë më në fushë, sepse trajneri ka frikë nga klanet në skuadër.
Kishte si detyrë të nxirrte një assist për kryetarin e opozitës politike, duke i përgatitur mirë topin dhe terrenin për deklarata, siç i dëgjuam dje. Shikoni me pak kujdes kronologjinë nga shkaku deri afërmendsh tek pasojat. Së pari asisti me një shkrim: “një argument tjetër i fortë kundër tij do të jetë fakti që ai nuk do të japë dorëheqjen nga bashkia. Një lider, i cili do t’u ofrohet shqiptarëve si kryeministër”. Nga asisti i mirëstudiuar doli (go)goli mediatik i kryetarit të opozitës politike. Së dyti pasoja: “Rama: kam deklaruar se do jem kryeministër i shqiptarëve, në rast fitoreje edhe pa qenë deputet”. Duke folur pa praninë e kamerave, Rama u tha gazetarëve se ai ka ndërmend që ta çojë deri në fund kontratën e tij me qytetarët e Tiranës.
Ky ndërrim rolesh nga sulmues i uritur në një fantazist pasimesh na bën të mendojmë se me urdhër të trajnerit të tij një ditë mund të luajë edhe si shkatërrues, sepse si shkatërrues vlerash është i papërmbajtshëm. Madje pak ditë më parë u provua të jetë edhe mbrojtës, mbrojtës i disa individëve rentierë, sepse si portier i ndonjë fasade të lyer rishtas nuk e bën mirë, sepse humb çelësat. Siç ka humbur së fundmi çelësat e redaksisë së tij prandaj kohët e fundit po luan në rolin e asist-man për partinë e opozitës. Meraku është se ky këto punë di të bëjë mirë edhe pa i dhënë urdhër trajneri ose presidenti i skuadrës.
Gjurmët e ndikimit që lë një veprim apo pasim i këtillë në atë opozitë publike – siç i cilëson vetveten sot dhe vetëm sot lojtari më numër dhjetë tepelenas – janë të pakta, sepse është vërtetë se gazetaria është “qeni i kufirit” të një demokracie, por kur janë pothuajse të gjithë qenë bastardë e renegatë, si i bëhet punës? Pra sot në Shqipëri mund të jesh një njeri i lirë, e që thotë atë që mendon, por s’mund të jesh kurrë një njeri që nuk mendon atë që thotë. Sidomos në diskursin publik.
Zgjidhni ose të parën ose të dytën, pasi ka një konflikt logjike e interesi të hapur, duke i pasur të gjitha rolet e mundshme në një shoqëri. Interesi për të cilën disa punë bëhen edhe pa mëshirë është një shtyrje e paskrupullt zhvatjeje ndaj kapitalit demokratik që një shoqëri ndërton gjatë pluralizmit. Kamata nuk është vetëm 15-përqind e vlerës së një individi apo sendi, por është për fat të keq më shumë.
Ndoshta inkoherenca do të ishte një alibi e mirë për kontradiktat e shumta që njerr në pah ky lojtar gjatë sezonin polemik, por më duket se është i mahnitur nga epopeja e fitoreve të skuadrës ku tani luan rrjedhshëm e me pasime të dëshirueshme. Ndoshta ka të njëjtin mendim si John Milton, kur tha “më mirë të jesh i pari në ferr sesa shërbyes në parajsë”. Së fundmi, më Dduhet të shtoj se këto vështrime janë krejt të pandikuara nga tollovia e ditës.