E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke lypur integrimin

Nga Tema

Kohë më parë një media austriake lëshonte rreshta të tëra me acarim ndaj mënyrës se si vendet e Ballkanit Perëndimor po e kërkojnë anëtarësimin në BE. “Janë fodullë, e shohin si të drejtë historike anëtarësimin, janë të zhytur në korrupsion dhe rrezikojnë fondet tona që do iu dërgohen atyre. Merrni shembullin e Bullgarisë”, - theksonte kjo media.

Edhe këto janë shenja të një lodhjeje. Dhe me qartë se kaq e tha vetë kancelarja gjermane, Angela Merkel, kur deklaroi se BE i duhej të rishikonte dhe njëherë gjendjen e saj, para se të zgjerohej. Deklarata e ashpër u korrigjua menjëherë nga diplomatë të ndryshëm, që i druhen frikës se mos nga kjo deklaratë rajoni zhytet në kaos.

Historia ngjason me atë të një fëmije të mbrapshtë, që po tenton të hyjë në rrugën e duhur, por, po i hoqe lëpirësen nga goja, ai do rikthehet sërish në rrugën e mëparshme.

Ngjarjet sigurisht nuk janë kështu, por mënyra se si Shqipëria po e kërkon integrimin është e tillë. Prej kohësh diplomacia perëndimore kërkon që të mos aplikohet në këtë periudhë për marrjen e statusit të kandidatit. Të njëjtën gjë kërkuan dhe para disa muajsh ndaj Malit të Zi. Kërkesa që ka bërë Maqedonia s’po përfillet, e po ashtu po ndodh me Turqinë. Edhe dje, ambasadori i KE në Tiranë përsëriti se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, e la të kuptohej se do ishte mirë që aplikimi të bëhej pas tyre. I pari që kërkoi që Shqipëria të mos aplikonte, ishte ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, i cili deklaroi se BE i kanë plasur ujërat. Vendi i tij është miqësor ndaj integrimit, kështu të paktën po thuhet së fundmi nga qeveria, që do iu dorëzojë atyre formularin.

E nëse do paralelizonim sërish me rastin e fëmijës së pabindur, aplikimi duket si një kërkesë e pafundme për t’u ngritur në mësim, e më pas për të mos folur, duke u fshehur pas shprehjes se “s’më kujtohet mësimi.”

“Për të kërkuar integrimin, kanë zgjedhur femra në krye të dikastereve përkatëse (në atë kohë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia kishin gra në drejtim të Ministrive të Integrimit sh. r)”, - shkruante media austriake, si për të thënë që integrimin po na e lypin, por nuk e meritojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›