Centrali atomik tërbon malazezët, rebelohen shkodranët
Prej pak ditësh në tregun mediatik ka nisur të qarkullojë lajmi se ndërtimi i një centrali atomik në Shqipëri është fakt i kryer dhe mungon vetëm firma në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kroacisë për t’i hapur rrugë punimeve.
Kryeministri kroat, Ivo Sanader, dhe ai shqiptar, Sali Berisha, do të nënshkruajnë marrëveshjen, ndërsa kanë ftuar dhe Bosnjën që të bëhet pjesë e këtij plani.
Centrali do të kushtojë rreth 4 miliardë euro dhe do ndërtohet në Shkodër.
***
Banorët e qytetit verior kanë mbushur fasadat e ndërtesave me postera kundër ndërtimit të centralit atomik.
Fëmijë me deformime fizike pasqyrohen në këto postera, ndërsa qytetarët e pyetur thonë se nuk do e pranojnë ndërtimin e këtij centrali pranë qytetit të tyre.
Zyrtarët vendorë thonë se nuk kanë ende asnjë informacion në lidhje me ndërtimin e centralit, edhe pse mediet kanë njoftuar se prilli do jetë muaji kur do nënshkruhet marrëveshja. Si dhe në rastin e marrëveshjeve të mëdha energjitike me Italinë, edhe kjo e ndërtimit të centralit atomik është shfaqur si rrufe në qiell të pastër. Ajo çka është e rëndësishme, është se vendorët dhe banorët nuk janë pyetur aspak për këtë vendim.
***
Shkodra, një nga zonat më të bukura në gjithë gadishullin, e rrethuar nga malet, liqeni, lumenjtë dhe me detin pranë, është tashmë e kërcënuar. Sipas njoftimeve të medieve malazeze, centrali atomik do të ndërtohet afër kufirit me Malin e Zi, pikërisht ku lumi Buna del nga liqeni i Shkodrës për në detin Adriatik.
***
Centrali atomik do të ketë një kapacitet prej 1500 megavatesh dhe si në rastin e projekteve energjitike me Italinë, edhe pse do ndërtohen në Shqipëri, shumicën dërrmuese të energjisë do e marrë Kroacia.
Shqipëria vetëm do të vuajë pasojat në ambient. Por do ketë privilegjin e të blerit të energjisë në vend.
***
Edhe pse në Shqipëri për projektin po flitet pak ose aspak, fqinjët tanë malazezë e kanë kryelajm të ditës. Vendi i vogël malor, që mbahet kryesisht me turizëm, i trembet ndikimit në mjedis të këtij centrali, por i druhet edhe ndonjë katastrofe njerëzore.
Zyrtarët e lartë malazezë kanë bërë të ditur se vendi i tyre ka një infrastrukturë ligjore që u ndalon ndërtimin e centralëve atomikë. Ata shpresojnë se vendimi nuk do merret pa i pyetur ata, dhe se Shqipëria e Kroacia do respektojnë vendin fqinj.
Zv/ministri i Ambientit, Sinisa Stankoviç, ka deklaruar se Shqipëria po rrezikon kështu marrëdhëniet e fqinjësisë me Malin e Zi.
***
Se sa i shqetësuar është Mali i Zi për këtë çështje, duket dhe te faqja e internetit visitmontenegro.com, që është një portal kryesor i turizmit në këtë vend. Ajo e pasqyron gjerësisht këtë lajm dhe ka pyetur ekspertë të ndryshëm për këtë çështje.
***
Shkodra e re e kujton mirë tërmetin e vitit 1979. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm që jetojnë në një tokë që nuk “preferon” të rrijë e qetë. Kësaj i druhen dhe ekspertët. Një tërmet do të ishte fatal. Provokimi që do i bënte centrali, do ishte shkatërrimtar për qytete të tëra e jo vetëm për Shkodrën.
Televizionet e Malit të Zi kanë transmetuar intervista me ekspertë të ndërtimeve. Cedomir Cejoviç, një prej tyre, thotë se është shumë e rrezikshme të ndërtohet një central atomik në një zonë me rrezikshmëri të lartë tërmetesh.
***
Ndërsa ekologjistët shqiptarë ende nuk kanë folur për projektin që iu mbahet fshehur nga qeveria shqiptare, në Mal të Zi opinioni zien. Përfaqësuesit i një organizate mjedisore në Mal të Zi, Xhelal Hoxhiç, thotë se centrali nuk duhet të ndërtohet, sepse në të kundërt ai do dëmtonte botën ujore. Për të kryer funksionet e tij, centrali do të marrë ujë në sasi shumë të mëdha, duke e rikthyer atë më të ngrohur.
***
Kur ishte premtuar se do të ndërtohej centrali bërthamor, ishte deklaruar se një kompani e fuqishme si Westing House do e ndërtonte atë. Por tani del se do jetë një kompani lokale që do marrë përsipër ndërtimin. Bëhet fjalë për kompaninë HEP.
***
Centrali bërthamor, TEC-i me qymyr në Durrës e të tjera projekte energjitike monstruoze po shfaqen pikërisht në ditët kur Shqipëria cilësohet si një nga vendet më të pastra ekologjikisht.
Një vlerësim i bërë nga revista “Forbes”, e që publikohet në sitin anarcotico.net, tregon se Shqipëria është ndër dhjetë vendet me ambient më të pastër në botë. Kroacia gjithashtu është në këtë renditje.
“Shqipëria, ashtu si fqinjët e saj evropianolindorë, nuk i përket kategorisë së vendeve të shkëlqyera në ekologji. Por, për shkak se industria nuk ka punuar asnjëherë më motorë të plotë, Shqipëria prodhon pak gazra me efekt serrë”, - thuhet në këtë vlerësim.
***
Politikanët tanë nuk flasin fare për këtë çështje, por kryeministri malazez ka qetësuar qytetarët e vendit të tij duke u deklaruar se nuk duhet të shqetësohen. Ai ka premtuar se asgjë nuk do bëhet pa miratimin e vendit të tij. Kryeministri, Milo Gjukanoviç, tha se kjo nismë është ende në fazën fillestare dhe se Mali i Zi do të marrë pjesë në bisedimet me zyrtarët e të gjitha vendeve të rajonit.
Ai tha se, nëse planet nuk ndryshojnë, atëherë bisedimet do të përqendrohen në çështjen se ç’duhet bërë për të garantuar se centrali bërthamor nuk do të dëmtojë mjedisin, sigurinë ose shëndetin e banorëve.
Gjukanoviç iu ofron informacion, por dhe qetësi shtetasve të tij. Për ne nuk kujtohet askush, deri në momentin kur gjërat shpërthejnë.